Qeveria e Serbisë në takimin e përbashkët me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq ka miratuar dy tekste – rezolutën, për të cilën do të deklarohen edhe deputetët, si dhe dokumentin tjetër, të cilin e transmetojnë mediat serbe, që përmban instrumente të qarta për vazhdimin e dialogut dhe do të jetë obligativ për negociatorët, në këtë rast për kryeministrin, Ivica Daçiq.
“Serbia në seancën e qeverisë ka treguar se qëndron prapa dokumentit me gjithë kufizimet që i ka secili nga ne kur është fjala për Kosovën”, ka thënë Nikolliq në konferencën për gazetarë.
Platforma ka të bëjë me bisedimet politike me Kosovën, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Deri tash janë mbajtur disa takime të dy kryeministrave, atij të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Ivica Daçiq të Serbisë.
Qeveria e re dhe presidenca serbe, megjithatë, kanë vendosur që të dalin me platformë të re që do të përdoret në këto bisedime.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq tha se vendimi për platformën është marrë vendimi njëzëri, por nuk do t’i paraqitet publikut.
“Qeveria e Serbisë ka marrë sot dy vendime. Të gjitha vendimet janë marrë njëzëri, sikurse edhe të tjerat që i kemi marrë kur është formuar qeveria e re”, tha Daçiq.
Daçiq tha se presidenti Nikolliq, ka propozuar platformën për bisedime politike me përfaqësuesit e Prishtinës, e cila nuk do të dalë në publik, pasi që “nuk duhet që me platformën dhe me taktikat tona të njihen ata me të cilët duhet të bisedojmë”.
Por, ai ka nxjerrë disa detaje të saj, duke thënë se ndër to është qe Serbia nuk e njeh Kosovën.
“Gjithashtu të kujtoj se nuk bëhet fjalë për bisedime për status, proppzimi ka të bëjë me organizimin e jetës dhe me qeverisjen në kosovë”, u shpreh ai.
Rezoluta përbëhet nga pesë pikë: që Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, që dialogu me Prishtinën do të vazhdojë dhe se çdo progres në dialog duhet të shoqërohet me përparimin e Serbisë në rrugën e integrimit evropian, pastaj që tw zgjidhet statusit të veriut të Kosovës, si dhe garancitë e veçanta për të drejtat individuale dhe kolektive të serbëve në jug të lumit Ibër”.