17 mijë turistë kanë marrë ndihmë mjekësore në 25 qendrat shëndetësore të hapura në të gjithë vendin përgjatë sezonit turistik, ka pohuar ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë një vizite pune të kryer në qendrat shëndetësore të Bashkisë së Himarës.
Shërbim të shpejtë dhe të specializuar e ka cilësuar Beqaj hapjen e këtyre qendrave pranë zonave bregdetare. “Praktikisht, në të gjithë vendin deri më sot kemi rreth 16-17 mijë raste që janë shërbyer. Vetëm në atë pjesë që mbulohet nga qendra shëndetësore e Bashkisë së Himares, që fillon nga Palasa e shkon deri në Qeparo, madje ne ndonjëherë nuk arrijmë të masim kufijtë administrativë po shkojmë aty ku vjen thirrja, jemi në 1400 persona të shërbyer me vizita, me urgjenca dhe një numër më të vogël referimesh për në spital,” ka nënvizuar Beqaj.
Beqaj ka theksuar se “Kemi filluar këtë shërbim nga mesi i muajit qershor. Praktikisht, këtë vit janë 25 qendra shëndetësore në bregdet dhe në zonat malore. Shtesë nga viti i mëparshem kemi Kalanë e Dodës, Kelmendin dhe Prespën. Por,edhe këtë vit, në të gjithë gjatësinë e bregut të jugut, ajo që mbulohet sot nga Bashkia e re e Himarës me ndarjen e re administrative territoriale, kemi shërbim të shtuar me më shumë mjekë, më shumë infermierë, shërbim 24-orë, dy autoambulanca në shërbim përgjatë gjithë sezonit, si dhe një furnizim shumë të mirë me barna dhe materiale mjekimi që i duhen mbarëvajtjes së shërbimit të urgjencës në sezonin turistik”.
“Mesatarisht kemi 15-20 vizita në ditë dhe deri në 8 urgjenca. Vetëm javën e fundit kemi bërë 90 vizita të përgjithshme dhe 50 urgjenca. Ajo që vlen të theksohet është se kemi të gjitha materialet dhe barnat e nevojshme për t’u ardhur në ndihmë pacientëve që na drejtohen për ndihmë mjekësore”, tha mjekja Denisa Grembi.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë se Himarës, Gjergji Goro, pohoi se “këtë vit shërbimi ka ardhur duke u përmirësuar, pasi plotësuam edhe ato mangësi te vogla që hasëm gjatë vitit të kaluar. Në qendra shëndetësore shërbimi ofrohet nga mjëke dhe infermierë përgjatë gjithe ditë-natës dhe ky shërbim ofrohet më së miri. Dua të theksoj se edhe operatorët turistikë kanë qenë të interesuar për këtë shërbim, çka ka sjellë edhe një rritje të numrit të turistëve”.
