Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka zhvilluar ditën e djeshme një takim të veçantë me përfaqësues të selive diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare të akredituara në Shqipëri. Qëllimi i këtij aktiviteti ka qenë vizita në qendrën e shërbimit të urgjencës “Emergency Response Albania” dhe zonës bregdetare turistike të Spillesë, Kavajë. Ndër të pranishmit kanë qenë prezent edhe miq dhe donatorë institucionalë, bashkëpununëtorë të ngushtë, të cilët ndihmuan dhe kontribuan në përmirësimin e sektorit shëndetësor në Shqipëri.
“Gjithçka kemi arritur këto 300 ditë të para të qeverisjes, nuk do të ishte e mundur pa ndihmën tuaj”- ka theksuar Ministri Beqaj, ndërkohë që, është ndalur edhe në rëndësinë e përmirësimit të cilësisë në kujdesin shëndetësor, si medikamentet, profesionalizmin e mjekëve apo krijimin e ambienteve dhe paisjeve të përshtatshme.
Ministri Beqaj u ka paraqitur të pranishmëve edhe ecurinë e deritanishme të punës, në lidhje me prioritetet themelore në kujdesin shëndetësor. Në takim ishin të pranishëm z. Alexander Arvizu, Ambasador i SHBA-s dhe z. Hidayet Bayraktar, Ambasador i Turqisë në Shqipëri, përfaqësues të USAID-it dhe “Cooperazione Italiana allo Sviluppo”, Bankës Botërore, delegacionit të BE-së në vendin tonë, si dhe bashkëpunëtorë nga Austria, Zvicra, etj.