Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ministri i Shëndetësisë, mori pjesë sot në Konferencën e III-të vjetore Ndërkombëtare për depistimin e kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës: “Të vendosur kundër kancerit, krah gruas për parandalim”.
“Ende nuk e ndjej veten ministër shëndeti, unë jam ministër sëmundje,” u shpreh Beqaj në fjalën e tij, duke theksuar se duhet bërë ende më shumë për parandalimin e sëmundjes, duke e kthyer vëmendjen tek shëndeti, dhe jo tek sëmundja, siç është bërë edhe vijon ende të bëhet në këtë drejtim.
Duke folur për nismat e deritanishme të Qeverisë në betejën kundër kancerit, kreu i shëndetësisë bëri thirrje për më tepër ndërgjegjësim dhe marrje përgjegjësish nga të gjithë.
“Nuk i shmangem përgjegjësive si ministër, po nuk mund t’i përkasë vetëm një qeverie dhe një ministri,” tha ai, duke theksuar se duhet t’i përkasë të gjithë shoqërisë, për arsye sociale e ekonomike.
“Pavarësisht se me çfarë mjetesh financiare e përballojmë sëmundjen, të shtetit, të sigurimit privat apo të xhepit janë para që duhet të fillojmë t’i përdorim në një mënyrë më të mençur. Edhe parandalimi është prapë pjesë e sëmundjes”, tha Beqaj. /Dita/
