Rritja e çmimeve të ushqimeve gjatë dy mandateve të qeverisjes së Partisë Demokratike është për PS-në një tjetër arsye për të mos e votuar Berishën në 23 qershor. Sekretari për programin në PS, Ilir Beqja, tha në një konferencë shtypi se çmimet janë rritur mesatarisht në masën 70 për qind, duke shënuar rënie të fuqisë blerëse.
“Një nga dështimet e tij më spektakolare të qeverisjes së tij është varfërimi i shqiptarëve, rënia e fuqisë blerëse. Ministria e Financave pretendon se një kg ushqim i mallrave të shportës është shtrenjtuar me 21 % në krahasim me vitin 2005. Saliu ka dalë të mbajë gjoja shënime nëpër Shqipëri, në 8 vjet ai nuk u kujdes për shqiptarët, po vetëm për familjen e tij, kjo është arsyeja pse nuk e dinë realitetin e çmimeve”, tha Beqja.
Ai evidentoi kontradiktën që ekziston mes shifrave që vetë institucionet në varësi të qeverisë japin në lidhje me tregtinë e brendshme. “Çfarëdo propagande me rritje pagash apo me rritje të fuqisë blerëse, kundërshtohen nga vetë të dhënat zyrtare të qeverisë. Tregtia me pakicë në vitin 2012 është më pak edhe se tregtia me pakicë në vitin 2010, edhe se tregtia me pakicë në vitin 2011. Ky është thelbi i krizës ekonomike në Shqipëri – rënie e kërkesës konsumatore. Rënia e tregtisë me pakicë vë në pikëpyetje qoftë deklarimet për shtimin e vendeve të reja të punës, qoftë deklarimin për rritjen reale të pagave, si dhe provon se edhe nëse ekonomia ka pësuar rritje, nga kjo rritje ka përfituar vetëm një pakicë shumë e vogël njerëzish”, tha Beqja.
Rritja e çmimeve të produkteve të shportës
1 bukë masive
Në 2005 ishte 500 lekë, në 2013 është 800 lekë. Rritja 60%.
1 kg oriz
Në 2005 ishte 800 lekë, në 2013 është 1400 lekë. Rritja është 75%.
1 kg sheqer
Në 2005 ishte 800 lekë, në 2013 është 1400 lekë. Rritja është 75%.
1 kg miell
Në 2005 ishte 500 lekë, në 2013 është 900 lekë. Rritja është 80%.
1 litër vaj vegjetal
Në 2005 ishte 1500 lekë, në 2013 është 2400 lekë. Rritja është 60%.
1 kilovator energji elektrike
Në 2005 ishte 50 lekë, në 2013 është 90 lekë. Rritja është 80%.
Uji
Uji është dy herë më i shtrenjtë se në vitin 2005.