Pas akordimit të një shume nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve për projektin e “ishullit të Beratit”, 15 studio të përzgjedhura kanë mbërritur sot në këtë qytet, për të marrë informacionet e nevojshme.
Në projektin e Qeverisë shqiptare për Transformimin e qendrave të qyteteve përfshihet edhe zona nga Ura e Varur drejt qendrës së qytetit të Beratit, një sipërfaqe toke kjo prej 4 hektarësh, që synon të kthehet në një ishull multifunksional, projekt tashmë i investuar dhe që pritet të marrë jetë.
Në një takim të organizuar sot me specialistë të Urbanistikës së Bashkisë, specialistë të monumenteve, të turizimit dhe Agjencisë së Planifikimit të Territorit, që po menaxhon këtë projekt, kanë marrë pjesë 15 studio projektuese të huaja dhe vendase.
“Studio prestigjioze nga Italia, Franca, Spanja, Belgjika, Gjermania dhe Shqipëria u prezantuan sot me të dhënat e para historike, arkitekturore, hidroteknike dhe qëllimin e këtij ishulli; një zonë multifunksionale për të plotësuar nevojat kulturore, turistike, sportive dhe për të harmonizuar vlerat e Trashëgimisë Kulturore”, u shpreh kryetari i Bashkisë, Fadil Nasufi.
