2013 do të jetë vit i fitores spektakolare të PD dhe aleatëve të saj, viti mbajtjes së gjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kështu i ka motivuar anëtarët e kryesisë së selisë blu numri një i Partisë Demokratike , njëherësh kryeministër i vendit Sali Berisha gjatë mbledhjes së zhvilluar mbrëmjen e sotme. Berisha ka garantuar se do të bëhet gjithcka për garantimin e një procesi zgjedhor konform standardeve të kërkuara, por nga ana tjetër ka akuzuar opozitën se po shfaq siptomat e para të tentativës së bllokimit të këtyre zgjedhjeve me bllokimin e punës së KQZ.
“2013 është viti i fitores spektakolare të PD dhe aleatëve të saj, viti i mandatit të tretë të forcës sotme politike. Qëllimi i mbledhjes është hapja e përpjekjes së madhe të anëtarëve, drejtuesve, simpatizantëve , të fushatës së tyre elektorale për mandatin e tretë. Ne shkojmë drejt 23 qershorit më të vendosur se kurrë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, që të nderojë vullnetin e lirë të cdo qytetari . Kemi besim të plotë se kuadri i ri ligjor i miratuar me unanimitet, se trashëgimia e shkëlqyer në zgjedhjet e mëparshme. Shqipëria ka standardin më të saktë të numërimit të votave, ky standard ka bërë që dy mandatet e fundit të japin të vërteta rezultatet, ky standard bëri të mundur rrëzimin e murit të Bashkisë në majin e 2011. Por unë jam optimist se zgjedhjet do jenë të lira dhe të ndershme pasi maturia e qytetarëve shqiptarë është ndër maturitë e larta. Këto vite e kanë bërë qyetarin shqiptar shumë të ndjeshëm ndaj votës dhe vullnetit të tij të lirë. Kanë zhvilluar vlerat e besimit te demokracia, kanë qenë vitet e krijimit në Shqipëri, të plazmës demokratike. Ne shkojmë të sigurt, disa shenja paraprake nuk janë premtuese sa i përket kundërshtarit, ka një panik që përkthehet nga kthimi i filxhanit deri te bllokimi i punës së KQZ. Cdo njeri ka të drejtë të prodhojë statistikat që do por jo punën e KQZ. Ky komision voton për ti dhënë fund një problemi serioz që ka ekzistuar, tejzgjatjen e numërimit të votave. Nxjerrja e rezultatit në Shqipëri vonohej për shkak të një mase burokratike e lidhur me 66 qëndra numërimi. Për ti dhënë përgjigje këtij vonimi që me të drejtë i përflet zgjedhjet. Kjo masë kishte si synim të përshpejtonte procesin ata e bllokuan, Kolegji e kuptoi që synimi ishte bllokimi dhe i dha përgjigjen më të vendosur. Nëse ne përcaktuam 3/5 në shumicën e vendimeve, kjo sdo të thotë që duhet të bllokohet procesi. Pavarësisht nga emotiviteti, raporti përmbysës i adrenalinës tek kundërshtari ynë, zgjedhjet do pregatiten me seriozitetin më të madhe dhe do jetë një proces i lirë dhe i ndershëm” tha ai.
Duke u ndalur tek koalicionet, vec aleatëve tradicionalë të PD-së, Berisha tha se po zhvillohen negociata me parti të tjera në vend, të spektrit të djathtë e të majtë.
“Koalicioni është zgjeruar me Partinë Demokristiane dhe po zhvillon bisedime me parti të tjera të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë për të shkuar në zgjedhje si koalicioni më i madh”, tha Berisha.