Ish-kryeministri Berisha ka denoncuar nga foltorja e Kuvendit, atë që ai e cilësoi një nga skandalet më të mëdha në sistemin e shëndetësisë, sipas tij, një sistem mafioz i krijuar rreth fondit të kontributit të sigurimeve shoqërore që po bën batërdinë në para.
Sipas deputetit të PD, janë krijuar në mënyrë fiktive farmaci që nuk ekzistojnë, ku çohen receta të cilat nuk janë shitur kurrë. Berisha ka denoncuar një zyrtar të ministrisë së shëndetësisë, i cili sipas tij ka 4 farmaci, veç atyre ‘virtuale’ dhe sipas Berishës bëhet fjalë për një vjedhje prej 150 milionë lekë të vjetra.
“Këto farmaci kanë rimbursuar dhjetëra milionë për ilaçe që kurrë nuk janë shitur, kanë ndërprerë dhe rilidhur kontratën në kundërshtim me kontratën, kanë marrë vulat e mjekëve, pa dijeninë e këtyre të fundit”, tha Berisha, duke shtuar se për këtë PD ka një raport të hollësishëm me prova dhe fakte të cilën do ta vërë në dispozicion të organeve të drejtësisë.
Beqaj e pranon: Padia është bërë në prokurori
Ndërkohë, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pranoi raportin, duke deklaruar se për rastet e abuzimeve i është drejtuar Prokurorisë.
“Ne jemi të vendosur për ta luftuar korrupsionin dhe ai raport është raport i organeve antikorrupsion të qeverisë. Ndërkohë po e përsëris,padia është bërë në Prokurori. Janë vendosur në këtë 5 muaj gjoba për farmacitë që nuk respektojnë rregulllat e kontratës më shumë seç janë vendosur në 8 vjet”, – tha Beqaj.
