Prej disa ditësh, në çdo diskutim publik, kryeministri në detyrë, bën deklarata në lidhje me situatën e krijuar në Qarkun e Fierit dhe konkretisht me ngërçin institucional ku është futur ky këshill nga përfaqësuesit lokalë të ekzekutivit në bashkëpunim me drejtuesit e Partisë Demokratike. Publiku tashmë e di që Këshilli i Qarkut Fier, ku koalicioni i majtë ka një shumicë të madhe anëtarësh në krahasim me koalicionin e djathtë, nuk kryen detyrat e tij kushtetuese dhe ligjore, pasi minoranca në këshill nuk e lejon funksionimin normal të tij.
Kryeministri Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, në monologun e tij të përditshëm, po përpiqet të shpjegojë situatën e krijuar, duke propozuar zgjidhje antiligjore. Brenda stilit të tij të komunikimit, ai kërkon ta thjeshtojë debatin duke e personalizuar atë në emra të përveçëm, me qëllim shmangien e debatit nga thelbi i tij i vërtetë, që lidhet me dy aspekte kryesore, respektimin e vendimeve të gjykatave lidhur me këshillin e qarkut Fier (respektim i shtetit të së drejtës), dhe respektimi i votës së lirë të votuesve të këtij qarku. Me këto qëndrime Kryeministri Berisha po na dëshmon edhe një herë tjetër se, në kulturën e tij politike ai nuk respekton shtetin e së drejtës dhe institucionet e dala nga vota e lirë.
Në lidhje me aspektin e parë, që lidhet me shtetin e së drejtës, tashmë sistemi gjyqësor ka folur qartë në lidhje me çfarë ndodh me qarkun e Fierit. Aktualisht në fuqi janë 14 vendime të gjykatave të Fierit dhe Lushnjes, në të cilat argumentohet qartësisht se, ndërrimi nëpërmjet mocioneve i përfaqësuesve të mandatuar të këshillit komunal/bashkiak nëpërmjet që janë përfaqësues të këshillave respektivë në këshillin e qarkut Fier, janë kryer në mënyrë të paligjshme nga këshillat përkatës. Kujtojmë se, brenda një periudhe disa mujore, pasi koalicioni i majtë arriti me vota të marrë drejtimin e këshillit të Qarkut Fier në shtator 2011, strukturat politike të Partisë Demokratike, me ndihmën e figurinave të punësuar si drejtues të institucioneve lokale, nën presionin e vazhdueshëm ndaj këshilltarëve, arritën të ndryshojnë përfaqësuesit e disa këshillave komunal/bashkiak në këshillin e qarkut Fier, si ato të këshillave të bashkive Fier, Patos dhe Divjakë si dhe në disa këshilla komunalë. Me përfaqësuesit e dalë nga këto mbledhje të kryera nën presionin e pushtetit, kërkohej ndërrimi i kryetarit të këshillit në detyrë, të zgjedhur ligjërisht që në mbledhjen e parë të këshillit në shtator 2011.
Por, vendimet e zëvëndësimit të të mandatuarve, janë shfuqizuar nga gjykatat e Fierit dhe Lushnjes, duke u shpallur të pavlefshme dhe vendime që nuk sjellin asnjë pasojë juridike. Rrjedhimisht përfaqësuesit e mandatuar si anëtarë të Këshillit të Qarkut Fier, janë ende në detyrë pavarësisht si i konsideron Kryeministri Berisha. Njëkohësisht vendimet e gjykatave kanë ligjëruar përfundimisht se, konstituimi i këshillit të qarkut Fier dhe zgjedhja e kryetarit janë të vlefshme. Të gjitha vendimet gjyqësore të shkallës së parë janë lënë në fuqi si nga Gjykata e Apelit Vlorë ashtu edhe nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, duke u bërë të detyrueshme për tu zbatuar. Por, pikërisht këto vendime gjykatash të formës së prerë nuk zbatohen në Fier, me direktivën direkte të kryeministrit Berisha.
Dhe është pikërisht qëndrimi ndaj vendimeve të gjykatës, pra qëndrimi ndaj shtetit të së drejtës, pika ndarëse e qëndrimit të Partisë Socialiste me qëndrimin e Partisë Demokratike në lidhje me atë që ndodh me këshillin e qarkut Fier. Nga njëra anë kemi një qëndrim të qartë të Partisë Socialiste e cila kërkon, si edhe në raste të tjera, që kur drejtësia flet politika të heshtë dhe të zbatojë vendimet e gjykatave, dhe nga ana tjetër kemi qëndrimin e qartë të kryeministrit Berisha, që kërkon sikurse edhe në raste të tjera, moszbatimin e vendimeve të gjykatave. Për të anashkaluar debatin mbi vendimet e gjykatave të formës së prerë që duhet të zbatojë, Sali Berisha personalizon debatin me emra të përveçëm, duke sulmuar të gjithë ata që mendojnë se vendimet duhen zbatuar.
Aspekti i dytë që duhet analizuar, po aq i rëndësishëm sa i pari, lidhet me votën e lirë të qytetarëve të qarkut Fier në zgjedhjen e kaluara vendore. Sali Berisha, që fatkeqësisht nuk ndan dot detyrën e kryeministrit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, me detyrën e kryetarit të PD, nuk pranon dot faktin se, votuesit e këtij qarku kanë votuar në mënyrë referendare pro koalicionit të majtë kryesuar nga Partia Socialiste dhe kundër Partisë Demokratike dhe atij personalisht. Kjo votë popullore kundër tij në zgjedhjet e kaluara vendore, bën që edhe institucionin e Këshillit të Qarkut Fier ta dominojnë qartësisht në numër, koalicioni i majtë. Por, Sali Berisha nuk e pranon dot verdiktin që del nga vota e lirë, dhe përpiqet të deformojë vullnetin e shprehur me votë, duke urdhëruar të pengohet me çdo kusht dhe me veprime antiligjore funksionimi i këshillit të qarkut Fier.
Në monologun e përditshëm, Berisha nuk përmend faktin se, në këshillin e Qarkut Fier në mazhorancë është e majta si rrjedhojë direkte e votës popullore të majit 2011. Në vetvete përbërja e këshillit të qarkut Fier, pasqyron pikërisht votën e lirë në zgjedhjet e majit 2011, dhe për shkak se, vullneti i votuesve është që këto institucione të drejtohen nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Berisha harron, se kur udhëton drejt jugut të Shqipërisë, brenda territorit të qarkut Fier, në të gjitha bashkitë ku kalon vota popullore ka qenë për kandidatët e Partisë Socialiste. Por, pikërisht këtë votë popullore ai po përpiqet ta deformojë me propozimin e tij për mocione mosbesimi, propozim tërësisht në kundërshtim me frymën e funksionimit të institucioneve vendore. Përpjekja e tij, për të krijuar një situatë virtuale sipas së cilës, Berisha është fitues dhe drejton institucionet e dala nga vota popullore, është një realitet që nuk e besojnë as figurinat lokale që përfaqësojnë Partinë Demokratike dhe që fatkeqësisht drejtojnë edhe institucione të ndryshme.
Në ditët në vijim, Kryeministri Berisha do të vazhdojë të personalizojë debatin dhe do të bëjë biografinë e shumë njerëzve të tjërë por, ai nuk do të mund të na bëjë të harrojmë se arsyeja kryesore për ngërçin institucional ku ka futur bashkë me figurinat lokale, Këshillin e Qarkut Fier, lidhet me kulturën e tij politike kundër shtetit të së drejtës dhe votës së lirë të shqiptarëve.
Alban U. Mësonjësi