Përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar dhe kosovar, kanë përuruar gjatë ditës së sotme monumentin kushtuar patriotit të madh Hasan Prishtina, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
Në fjalën e saj, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga vlerësoi rolin e patriotit Hasan Prishtinës për lirinë dhe pavarësinë e atdheut.
“Sot në 100 vjetorin kam nderin të përuroj shtatoren e atdhetarit, ideologut dhe organizatorit të kryengritjeve për liri dhe pavarësinë e vendit, këtij burrështatasi, ministri e kryeministri, që e donte përparimin e popullit, që e dha pasurinë për shkollën shqipe, që jetoi në veprimtari për ta bërë vendin shtet dhe popull të lirë të Evropës. Ne sot nderojmë veprën e Hasan Prishtinës, të njeriut që gjithë jetën jetoi me veprimtarinë për ta bërë Shqipërinë shtet të lirë të Europës. Ne po i nderojmë të gjithë veprimtarët që nuk kursyen asgjë nga vetja për ta bërë reale lirinë dhe pavarësinë e vendit” tha Jahjaga.
Ndërsa kryeministri Berisha e cilësoi Hasan Prishtinën si arkitektin e Shqipërisë etnike.
“Sot për kryeqytetin e Shqiprisë është një ditë e shënuar, pasi vendoset këtu apo kthehet në Preshevën e Shqipërisë, arkitekti i Shqipërisë etnike, arkitekti i pavarësisë së Shqipërisë, burri i madh, që shkriu jetën e tij për bashkimin e trojeve shqiptare, për pavarësinë e Shqipërisë, për dinjitetin e shqiptarëve. Hasan Prishtina në veprën e tij me të gjithë përkushtimin e tij u shndërrua në flakmbajtësin e idealit të madh të Lidhjes së Prizrenit. Ai udhëhoqi lëvizjet më të mëdha që shqipptarët kanë pasur në kohërat moderne. Përfaqësuesi i Shqipërisë në parlamentin e perandorisë osmane është zotuar se do bënte gjithçka për Shqipërinë etnike” tha Berisha.
Monumenti i patriotit Hasan Prishtina është vendosur në lulishten tek Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.