Historia e rrëmbimit të 27-vjeçares gjermane nga ish i dashuri i saj kosovar, e ka zanafillën tetorin e vitit të kaluar, kur çifti pas grindjeve të herëpashershme gjatë lidhjes së tyre 7-vjeçare, është ndarë përfundimisht.
Katerina Erekter është rrëmbyer nga 49-vjeçari Hamdi Berisha edhe në tetor të 2014-ës, në “Rrugën e Elbasanit”.
Berisha është kapur në pikën kufitare të Morinës duke ikur për në Kosovë dhe vetë vajza nuk e denoncoi, ndërsa çështja u mbyll.
Por kjo skenë krimi do përsëritej dy ditë më parë, ku 49-vjeçari që jeton në Durrës e ka rrëmbyer përsëri ish të dashurën e tij me qëllim për ta çuar dhe izoluar në Kosovë.
Por gjatë ndjekjes së policisë që u sinjalizua për ngjarjen ku 3 persona e morën me forcë Erekter rreth orës 19:30 të së dielës, u realizua shpëtimi i saj dhe kapja e të dyshuarit në Vorë.
Kurse dy të tjerët mundën të arratiseshin dhe u shpallën në kërkim.Burime policore thanë se shkak i ngjarjes ka qenë xhelozia e Berishës, i cili nuk donte që e dashura e tij të lidhej me një tjetër person.
Pasi ka mësuar se ajo kishte njohur një tjetër djalë, ka realizuar edhe rrëmbimin.
