Mbledhja e fundit e qeverisë për këtë vit ka shërbyer më shumë për rikujtimin e objektivave që kanë mbetur pa plotësuar sesa si analizë e punës së kryer gjatë vitit 2012. Kryeministri Berisha tha se një përmbledhje e punës që ka bërë qeveria e tij gjatë 365 ditëve të këtij viti do të bëhet në mbledhjen e javës së parë të janarit 2013. Berisha përmblodhi shkurtimisht ato që ai i quajti suksese të qeverisë dhe theksoi se duhen përmbushur objektivat në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë.
“Qeveria ka bërë përpjekje në rrafshin ndërkombëtar për njohjen e Kosovës. Kemi qenë dhe mbetemi një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan. Kemi pasur konsolidim të mëtejshëm të progresit në të gjitha fushat. Rezultatet e censusit treguan se kemi një Shqipëri krejt tjetër, shumë më të avancuar. Bilancin përfundimtar do ta bëjmë javën e parë të janarit. Por qeveria bëri më të mirën që kremtimi i 100-vjetorit të pavarësisë të ishte në lartësinë e merituar. Në këtë kontekst për të gjitha duhet t’u shpreh mirënjohje ministrave, bashkëpunëtorëve dhe punonjësve të administratës. Ju bëtë të mundur me punën tuaj që ky vit i krizës të jetë një vit suksesi për qeverinë tonë. Nuk njohëm recesion. Në një vit që blihen 520 mijë vetura, cila është rënia e fuqisë blerëse? Fuqia blerëse është rritur dhe këtë e fakton libri i shitjeve. Shitjet kanë rritje dyshifrore.
Pardje u mblodh komiteti ndërshtetëror i festimeve të pavarësisë. Ne konstatuam se megjithë punën e madhe që u bë, kanë mbetur për ndjekje edhe disa probleme madhore. Edhe ato jashtëzakonisht të rëndësishme për Shqipërinë dhe 100-vjetorin. Kanë mbetur për përgjigje dhe finalizim ndërtimi i muzeut të Spaçit, kampi më i tmerrshëm i përqendrimit në të gjithë Europën”, tha Berisha.
Kryeministri ripërsëriti iniciativën për kthimin e kokës së Ali Pashë Tepelenës në Shqipëri, ndërsa shtoi se duhet rindërtuar edhe kisha e Vaut të Dejës, një ndër më të vjetrat në Europë.
“Ne do ta kthejmë në Shqipëri kokën e këtij strategu e legjendari. Meriton një nderim pas kaq dekadash. Një burrë që krijoi një oborr të ndritur të vizituar nga personalitetet më të mëdha të kulturës europiane si Bonaparti. Të ndërtojmë kishën e vaut të dejës, kisha më e vjetër e vendit. Para dy muajsh festuam 850-vjetorin e dioqezës. Projekti ekziston në Vatikan dhe ne do ta ndërtojmë si dëshmi”, tha kreu i qeverisë.
Në fund, Berisha solli një tjetër projekt të ri të qeverisë së tij: atë të bashkimit gjuhësor e historik të shqiptarëve në satelit.
“Është e domosdoshme të sponsorizohet TVSH që të japë në satelit mësimin e gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare. Në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës duhet të hartohet një platformë e përbashkët. Qeveria do të përcaktojë fondin e nevojshëm. Këto lëndë duhet të unifikohen bashkë me autoritetet e Kosovës dhe do të jenë cikle të vazhdueshme në mënyrë që shqiptarët të mund të ndjekin mësimin e gjuhës sonë amtare dhe historisë kombëtare”, tha Berisha.
Po ly e harroi detyrimin per shqiptaret te mesojne kinezce ???