Australi – Brisbane Roar këtë sezon është një skuadër e paqëndrueshme në rezultate, por atëherë kur fiton mendon Besart Berisha të shënojë e të lërë gjurmë. Me javën e kaluar që humbi 2-1 në fushën e Central Coast, Brisbane luajti përballë tifozëve duke arritur një fitore minimale 1-0. Goli i takimit u shënua pikërisht nga Besart Berisha që edhe në fitoren e kaluar në stadiumin e tyre ndaj Sydneyt të Del Pieros i vuri vulën fitores me golin e tij. Kësaj radhe ish sulmuesi i Hamburgut realizoi nga pika e bardhë e penalltisë dhe ky gol mjaftoi për t’i dhënë 3 pikë ekipit kampion që këtë vit duket se e ka të vështirë ta mbrojë titullin pasi në 9 javë ka grumbulluar 10 pikë ndërkohë që Central Coast kryeson me 20 pikë renditjen.