Kryeministri ka komentuar heqjen e monumentit të dëshmorëve të UÇPMB-së përmes Facebookut. Pak orë pas qëndrimit zyrtar të qeverisë shqiptare në lidhje me këtë akt, Berisha ka publikuar qëndrimin e tij individual, të cilit i ka shtuar nota nacionaliste.
“Akti i heqjes së monumentit të heronjve të kombit shqiptar të Luginës së Preshevës, është dëshmi tjetër e albanofobisë që sundon politikën zyrtare të Beogradit ndaj shqiptarëve. Ky akt dëshmon dhe një herë se bashkimi i kombit shqiptar është vendimtar për të ardhmen e tij por dhe për çlirimin e fqinjëve tanë nga albanofobia dhe pasiguria që ndiejnë ata që kanë pushtuar trojet e shqiptarëve dhe shërbehen me praktika raciste dhe fobie ndaj tyre.
Duke iu shprehur mbështetjen e plotë qytetarëve dhe udhëheqësve politikë të Preshevës, serish u bej thirrje të shmangin provokimet, të ruajnë gjakftohtësinë ndaj terrorit policesk të Beogradit dhe i garantoj se Shqipëria do bëjë gjithçka në të gjitha institucionet ndërkombëtare për t’i dhënë fund terrorit policor ndaj shqiptareve që jetojnë në trojet e tyre etnike në Luginën e Preshevës.
Ata që shkulën monumentin e heronjve të Preshevës duhet ta dinë se; Të rënët tanë nuk vdesin kurrë!”, shkruan Berisha në Facebook.