Kryeministri e ka marrë me shumë “qejf” përdorimin e Facebook-ut. Në profilin e tij, ditët e fundit janë komentuar të gjitha zhvillimet që ndodhin në vend dhe botë, qofshin këto të karakterit politik, sportiv apo kulturor. E ndërsa shumë i vënë një pikëpyetje të madhe dyshimit nëse pas profilit të Berishës qëndron dikush i stafit të tij apo vetë ai, profili i S.B. në rrjetin më të përdorur social përpiqet të japë idenë e një personi të mirëinformuar për gjithçka, plot ide dhe të gatshëm për komunikim në çdo kohë.
Një ditë më parë, në profilin e kryeministrit u shpërnda një mesazh, në të cilin komentohej futbollisti Lionel Mesi dhe çmimi i Topit të Artë që iu dha atij dje. Por nuk mund të ndodhte ndryshe, mesazhit i janë shtuar edhe nota politike, kur fitoret e Mesit janë krahasuar me fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit, në të cilat Berisha pretendon të dalë i pari.
“Të dashur miq. Sonte ishte nata e yllit të yjeve të futbollit, argjentinasit Leo Mesi, që u shpall për të katërtën herë kryefutbollisti i botës “Topi i Artë i futbollit botëror”. Leo Mesi, (apo nuk e ka mbiemrin si shqiptar) herë-herë më duket si hyjni tokësor i futbollit dhe suksesit të tij, pasi tek ai janë shkrirë mrekullisht njerëzorja, por dhe mbinjerëzorja, talenti i rrallë, performanca fizike dhe psikologjike e përsosur me shpirtin e fitimtarit. Duke uruar së bashku superyllin e futbollit të planetit për rekordin e tij historik, më duhet t’ju pohoj miqtë e mi të dashur se unë shoh tek secili prej jush një Leo Mesi të vërtetë në fitoren e betejës së ardhme elektorale, e madje, në shembullin e tij, edhe të katërtën, pra tjetrën pas saj. Gëzuar”, shprehet Berisha në Facebook.