Kryeministri i vendit Sali Berisha deklaroi se historianë dhe studiues po punojnë që në këtë 100 vjetor të pavarësisë, historia të mos jetë e shkruar sic ka qënë më parë, por të thotë të vërteta të mëdha. Këto deklarata numri 1 i qeverisë i bëri në promovimin e librit të gazetarit Ilir Ikonomi, “Pavarësia, udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit”.
“Ismail Qemali është një piedestal i kombit dhe ka shumë arsye që shqiptarët të ndjehen krenarë. Ka patur rëndësi të jashtëzakonshme sepse në këtë 100 vjetor, historianë studiues, publicistë, do bëjnë që historia e këtij vendi të mos jetë e shkruar sic ka qënë më parë dhe ne e kemi patur jetike këtë. Të mos ketë asgjë të deformuar në Shqipëri. Po paraqiten njëri pas tjetri monumentet e të vërtetave historike shqiptare”, deklaroi Berisha.
Kryeministri deklaroi se qëndrimi është se cfarë duhet të bëjnë shqiptarët me të vërtetën, duke theksuar se është e vështirë të gjesh një histori tjetër që një komb të ngrihet nga hiri.
