Kryeministri Berisha ka akuzuar kreun e PS-së Edi Rama se po pengon integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Nga qyteti i Elbasanit, kryeministri Berisha i bëri sërish thirrje kreut të PS-së të votojë tre ligjet e kërkuara nga Brukseli për marrjen e statusit të kandidatit.
“Ata që nuk votojnë ligjet në Kuvend duan të pengojnë hyrjen në BE. Ata që nuk votuan ligjet në Kuvend janë atë të cilët në vitin 1995 penguan hyrjen e Shqipërisë në KiE. Rama ka tre muaj që mban peng 3 ligjet e kërkuara për integrimin e vendit por unë i bëj thirrje zotit Rama të votojë tre ligjet për të firmosur përfundimisht integrimin e vendit. Nëse Rama bllokon integrimin e vendit,e pret humbja më e madhe në histori. Nëse Rama bllokon integrimin do të përjetojë një Vaterlo më të madhe se ajo e vitit 1992” tha Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha vlerësoi edhe anëtarësimet e reja në Forumin Rinor të PD-së ndërsa shtoi se ky forum është faktori përcaktues në çdo fitore të kësaj force politike.
“FRPD-ja po përgatit fitoren e madhe në zgjedhjet e vitit 2013. PD-ja është partia e të rinjve, që ktheu liritë dhe të drejat për qytetarët shqiptarë” tha Berisha ndërsa shtoi se Shqipëria është vendi i iniciativës së lirë dhe pronës private të respektuar.