Partia Demokratike në pushtet ka festuar dje 22 vjetorin e themelimit të saj. Në një ambient festiv në Pallatin e Kongreseve demokratët kanë përkujtuar ditën që u bë akti i krijimit të partisë së parë opozitare pas rënies së regjimit komunist. Edhe pse shumë nga themeluesit nuk ishin të pranishëm për shkaqe të ndryshme, të djathtët e kanë kujtuar me nostalgji ditën që patën mundësi të thonin hapur ato që mendonin.
Fjala e Berishës
Kreu i PD-së Sali Berisha mbajtur fjalën e rastit e cila zgjati më shumë se një orë. Kryeministri i vendit Sali Berisha duke përshëndetur të rinjtë dhe të rejat që 22 vite më parë themeluan partinë e parë opozitare në historinë e Shqipërisë duke kujtuar sfidat e pluralizmit kundër regjimit të hekurt të diktaturës, theksoi se PD u krijua si parti e idealeve më fisnike, që në krye të herës pati në lirinë dhe bashkimi ne shqiptarëve në ndarë në 5 shtete. “Pluralizmi politik u themelua në një vend, në një shoqëri në të cilën, ai dhe të gjitha format e tjera të pluralizmit ishin shuar dhe zhdukur me zjarr dhe hekur nga diktatori me i egër, nga Hitleri i pasluftës që njohu Evropa, Enver Hoxha. PD u themelua si parti e idealit me fisnik të njeriut, idealit të lirisë, në vendin e shtypjes më të egër, si parti e të drejtave njerëzore të shqiptarëve. Në vendin ku këto të drejta ishin të ndaluara me Kushtetutë. Si parti e shpresave të pashuara të shqiptarëve, në vendin e qytetarëve me dëshpërimin më të thellë. Si parti e vokacionit perëndimor të shqiptarëve në NATO dhe BE, nga vendimi më i vogël i globit i shkëputur nga trungu i vet perëndimor. PD u themelua si parti e interesit kombëtar të shqiptareve, çështjes shqiptare, të kombit të ndarë në 5 shtete, dhe kohë kur pushtuesit kishin vendosur regjimin e spastrimit etnik në Kosovë dhe trojet e tjera etnike shqiptare”, deklaroi Berisha. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Berisha nënvizoi se liria është fjala që ka udhëhequr Partinë Demokratike në 22 vjet, ndërsa e shpalli atë kushtetutën e veprimeve.
Zgjedhjet e ardhshme
Në fund të fjalës së tij kreu i qeverisë shqiptare u shpreh i sigurt që Partia Demokratike do fitojë zgjedhjet e vitit 2013. Ai tha se më 23 qershor shqiptarët do shembin edhe murin e bllokimit. “Ne jemi ndryshimi se 22 vjet më partë ndamë historinë, ndamë epokat, Shqipërinë vendin më të izoluar të globit e bëmë anëtare të NATOS, bëmë që shqiptarët të lëvizin lirshëm. Ne që shembën murin e Berlinit, ne që përmbysëm bunkerët e izolimit do shembim edhe murin e bllokimit me votën e 23 qershorit, është vota e integrimit, është vota e së ardhmes”, përfundoi ai.
Rama-Berisha, tashmë betejë dhe në rrjetet sociale
Kryeministri Sali Berisha ka uruar përmes rrjetit social “Facebook” 22- vjetorin e krijimit të themelimit të Partisë Demokratike. Sipas Berishës, themelimi i PD mund të konsiderohet si dita e shpëtimit dhe shpresës së madhe. “Sot kremtojmë 22- vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike. Po bëhesha gati të shkruaja një status për këtë ngjarje dhe më erdhi në mend ajo natë e ftohtë e 11 Dhjetorit 90 kur së bashku me një grup studentësh e intelektualësh, Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon etj, diskutuam dhe vendosëm themelimin e pluralizmit politik njëherazi dhe PD-në si forcë e parë opozitare të vërtetë të vendit. Themelimi i PD-së mund të quhet dita e shpëtimit dhe e shpresës së madhe, dita e rilindjes së vërtetë të dytë kombëtare, sepse Partia Demokratike u themelua si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore në vendin ku ato ishin të ndaluara me Kushtetutë, e vokacionit perëndimor dhe integrimit Euro – Atlantik dhe Evropian të saj, si parti e interesit kombëtar dhe çështjes shqiptare”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kundërshtarit politik që po ashtu si kryeministri ka përdorur një nga rrjetet sociale për t’i kthyer përgjigje. “22 vjet përpara PD ishte shpresa, sot është zhgënjimi. Në 2013 PS në qeverisje për të rilindur Shqipërinë, PD në opozitë për të rilindur vetë!”, citon Rama në “Twitter”.