PS duhet të ankimojë Listat dhe Regjistrin në Kolegj, para se Kolegji të shprehet për mandatet. Dhe të kërkojë Komision Hetimor për katërshen Noka-Ristani-Poni-Teliti
Çfarë po ndodh në kokën e kreut të mazhorancës dhe kryeministrit Sali Berisha?! Kjo është një pyetje jo thjesht para një fushate elektorale, por pyetje në një situatë kritike për të ardhmen e tij. Do luhen të gjithë gurët për të ngushtuar sa më shumë diferencat e rritura në vota me opozitën dhe për të prodhuar me makinacione mbështetjen që mungon në publik.
“Loja” më e fundit është shpërndarja e mandateve mbi bazën e një popullsie fiktive, duke ruajtur mandatet e Kukësit dhe duke ia hequr Beratit. Çka ndryshe përkthehet në dy mandate plus në xhep për Berishën, që me këtë Kod proporcional rajonal do të thotë shumë. Në KQZ ky skenar u bllokua fal votimit të cilësuar, por jo në procedurë.
Tani është Kolegji Zgjedhor që pritet të shprehet pasi aty është ankimuar PD-ja pas bllokimit në KQZ-së. Dhe po flasim për Kolegjin Zgjedhor të Tomës dhe Sashenkës.
*****
Zv.ministri i ri i brendshëm Arben Ristani dhe Kolegji Zgjedhor janë dy legjitimuesit e vjedhjes së mandatit të Tiranës. Ajo që ata bënë para syve të gjithë shqiptarëve është një histori e gjatë që nuk do mbyllet me kaq. Por hë për hë, PD-ja i ka aty këta persona dhe em ta po tenton të luajë gurin e fundit të shahut nëpërmjet ankimimit të projektit të rrëzuar në KQZ për rishpërndarjen e mandateve.
E thënë thjesht, kërkohet që Korçës dhe Beratit t’i hiqet nga një mandat dhe t’i shtohen Tiranës dhe Durrësit, kurse Kukësi të mos preket sipas referencave të Gjendjes Civile dhe Ministrisë së Brendshme.
KQZ dhe më pas avokatat e PS kërkuan të dhëna nga Ministria e Brendshme me zv.ministër të ri Ristanin, të vejë në dispozicion listat dhe regjistrin për Kukësin, pas dyshimeve për shtime fiktive të popullatës dhe zhvendosje elektorale. MB u përgjigj se “janë të dhëna personale!” dhe nuk mund të jepen. Si janë të dhëna personale listat që afishohen në ditët e zgjedhjeve për të gjithë vendin ?! Kjo pyetje nuk u intereson katërshes Noka-Poni-Ristani-Teliti.
****
Gjithsesi PS ka në dorë një kundërpërgjigje po me ankimim për listat dhe regjistrin. Sipas procedurës, Kolegji Zgjedhor nuk mund të shprehet për mandatet pa sqaruar me shifra e fakte listat dhe regjistrin e popullsisë. Pra nëse PS do ankimojë për bllokimin e kërkesës së Kosovrastit dhe referuar rrëzimit që i ka bërë KQZ, që ka tagrin për rishpërndarjen e mandateve me shumicë të cilësuar, Kolegji nuk mund të shprehet. E thënë ndryshe, ankimimi i PS për Listat e Regjistrin, bllokon atë të PD për shpërndarjen e mandateve. Kolegji nuk ka asnjë shans ligjor që të shprehet për mandatet, pasi ligji e përcakton qartë se duhet shumicë e cilësuar në KQZ. Përderisa KQZ është shprehur kundër, Kolegji nuk mund të marrë asnjë vendim tjetër të kundërt.
Por PS ka në dorë edhe një lëvizje tjetër për transparencën. Sipas Kushtetutës dhe hapësirave ligjore te Republikës së Shqipërisë, grupi parlamentar i PS mund të mbledhë firmat dhe të kërkojë një Komision Hetimor për Ministrinë e Brendshme. Shkak janë referencat për klonimin e popullsisë dhe abuzimet me listat e zgjedhjeve. Po kështu mund të operojë në Komisionin e Sigurisë dhe të mbajë gjithë kohës nën mbikëqyrje katërshen Noka-Poni-Ristani dhe Teliti.
****
Është e qartë që ky Kolegj nuk e ka problem të kryejë një tjetër atentat juridik që mund të minojë zgjedhjet e ardhshme. Dhe nuk është habi që të shohim edhe një Berishë të rikarikuar që del pas vendimit dhe shprehet se është i gatshëm të zbatojë vendimet e gjykatave për Fierin, por edhe PS të bëjë të njëjtën gjë për mandatet…! Por, sic e thamë më lart, PS ka në dorë që këtë maskaradë të tentuar elektorale ta ndalojë duke e ngordhur krimbin e ri të Berishës që në gjenezë, pa u bërë flutur. Ndryshe në tavolinë do kërcasin dy vendime gjykatash, Fieri dhe Kolegji.
Loja me ndarjen e mandateve
Nga përllogaritja rezulton se mandatet që i hiqen Beratit dhe Korçës i humbet PD, pasi është ajo që ka marrë mandatin e fundit në zgjedhjet e 2009-s në këto zona. Por duke përllogaritur koalicionin PD-LSI përballë PS-së atëherë kemi të bëjmë me mandate që i humbet opozita.
Qarku i Kukësit ka katër mandate nga të cilat tre i merr PD dhe një PS. Nëse do të ulej numri i mandateve PD do të humbiste një direkt. Për këtë arsye është hapur debati si ka mundësi që qarku i Kukësit ka rritje më të madhe të popullësisë referuar mesatares së qarqeve të tjera.
Në Berat ishin tetë mandate. PS mori 4, PD mori tre dhe një LSI. Në këto zgjedhjeve nëse bashkohen PD dhe LSI ka gjasa që PS të marr tre dhe koalicioni i qeverisë të marrë katër.
Në Korçë mbeten 11 mandate. Nëse do të kemi koalicion PD-LSI mandati i i hiqet opozitës. Nëse PD del vetëm, LSI vetëm dhe PS vetëm , atëherë mandati i ikën PD-së.
Lufta e PD-së lidhet me faktin se i heq në ato vende që nuk ka mundësi të rritet si parti sic është Berati dhe Korça, dhe i sjell në dy qytete si Tirana dhe Durrësi ku elektorati është mjaft i paqartë. Në përllgaritjet e PD-së, dy mandate i dalin që në tavolinë duke llogaritur që dhe Kukësit nuk i hiqet një mandat.
Si fitohet një mandat
Sipas përllogaritjeve, për të fituar të paktën një deputet në secilin prej qarqeve konkurruese, koalicionet duhet të sigurojnë rreth 10-12 mijë vota, përveç Tiranës që do i duhen rreth 14 mijë vota. Duke iu referuar listave të 2009-ës, për Qarkun e Shkodrës duheshin 9934 vota, për Qarkun e Kukësit 11062 vota, të Lezhës 9706 vota, të Dibrës 9702 vota, të Durrësit 10199 vota, të Tiranës 10007 vota, të Elbasanit 10090 vota, të Fierit 10247 vota, të Beratit 10776 vota, të Korçës 10279 vota, të Gjirokastrës 9394 dhe për Qarkun e Vlorës 9894 vota.
Kriteret dhe procedura për caktimin e numrit të mandateve
1. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet në raport me numrin e shtetasve të secilës zonë zgjedhore. Çdo mandat përfaqëson një numër afërsisht të njëjtë shtetasish.
2. Numri total i shtetasve, sipas Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, pjesëtohet me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, duke përcaktuar numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati të Kuvendit.
3. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet duke pjesëtuar numrin e shtetasve me vendbanim në zonën zgjedhore, me numrin mesatar, të përftuar sipas pikës 2 të këtij neni.
4. Çdo zonë zgjedhore i caktohet fillimisht një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni.
5. Në rast se në përfundim të veprimit të kryer, sipas pikës 4 të këtij neni, një apo më shumë mandate mbeten pa u shpërndarë, ato u shpërndahen zonave mbi bazën e presjes dhjetore më të madhe të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni. Shpërndarja e mandateve të mbetura kryhet në rend zbritës, duke filluar nga zona me presjen dhjetore më të madhe.
6. Në rast se edhe pas zbatimit të pikës 5 të këtij neni presja dhjetore e dy apo më shumë zonave është e njëjtë, mandati i fundit i caktohet asaj zone që, pas përllogaritjes sipas pikës 3 të këtij neni, ka numrin më të madh të mbetur të shtetasve që nuk kanë prodhuar mandat të plotë.
7. Në rast se dy apo më shumë zona zgjedhore, edhe pas zbatimit të pikës 6 të këtij neni, kanë numër të njëjtë shtetasish, të cilët nuk kanë prodhuar mandat të plotë, mandatet ndahen me short nga KQZ-ja. Hedhja e shortit bëhet kurdoherë publike dhe në prani të subjekteve që kanë përfaqësues të përhershëm në KQZ.
Hiletë me mandatet: Të marësh “në tavolinë” atë që populli realisht s’ta jep
PD po tenton të ruajë numrin 4 të mandateve në Kukës megjithëse duhet të shkojë në 3. Zhvendosje mandatesh nga Berati e Korça
Mënyrat e manipulimit të zgjedhjeve janë sot më të reduktuara sesa kanë qenë dje. E prandaj, teknikat manipulative bëhen më të sofistikuara. Madje, duke qenë se teknikat e vjetra bëhen të paaplikueshme, shpiken teknika të reja. Ka një teknikë “fringo të re” manipulimi që është e njohur në praktikat elektorale të vendeve të ndryshme, por nuk para është përdorur në Shqipëri. Është fjala për përpilimin e një harte të re mandatesh parlamentare, d.m.th zonave ku mbështetja tradicionale në favor të PD-së është më e madhe u jepen më shumë mandate, dhe anasjelltas, zonave të majta u jepen më pak mandate.
Nuk ka kritere të ndarjes së mandateve?
Jo, kritere ka, dhe Berisha e të tijtë nuk është se kanë ndërmend të injorojnë kriteret, atë të numrit të popullsisë nëpër zona, që thotë se “zona me numër pak a shumë të barabartë zgjedhësish do të kenë numër të barabartë mandatesh”, apo që thotë se “çdo mandat duhet të ngrihet pak a shumë mbi të njëjtin kampion përfaqësimi”. Berisha e të tijtë kanë bërë ndërmend të shpikin lëvizje e ndryshime demografike të tilla, që legjitimojnë vendimin për t’u hequr nga një mandat qarqeve të Korçës e Beratit (i pari me epërsi të PS-së, dhe i dyti, bastion i PS-së), për t’u shtuar nga një mandat qarqeve Tiranë e Durrës e Kukës.
Dikush nuk ka ndenjur duarkryq gjatë katër muajve të fundit. Dhe papritur rezulton që popullsia e Kukësit është rritur sërish në nivelet që e përligjin numrin katër të mandateve. Dhe është një rritje demografike e çuditshme, d.m.th verifikohet jo thjesht në Kukës, por pikërisht në ato komuna të Kukësit që janë qartazi me PD-në, e që kanë një administratë e kryetar të PD-së, si në Topojan, Shishtavec etj. Gjashtëqind e tetëdhjetë e dy (682) është numri i banorëve të shtuar në Kukës gjatë këtyre muajve në këto komuna.
Një krahasim shifrash
Ja vlen të bëhet një krahasim shifrash, dhe në këtë mënyrë mund të kemi një ide më të saktë të llojit të ndryshimeve demografike, që “kanë ndodhur” këto kohë: “Berati, që është një zonë e majtë, është rritur me 137 banorë në katër vjet (2009-2012); Kukësi që është një zonë e djathtë në pikëpamje elektorale, e që është një qark më i vogël sesa Berati në numër popullsie, është rritur siç e thamë më sipër me 682 vetë”.
Opozita duhet të mos lëshojë pe këtë herë. Ajo ka boll kohë që të ushtrojë presionin e vet mbi mazhorancën, që të identifikojë hilet e shkeljet e mundshme të rregullave të lojës, që t’i bëjë publike këto marifete e hile, e që kështu të fitojë mbështetjen e opinionit publik e t’i bëjë më vigjilentë diplomatët e huaj. Nuk do ketë asnjë alibi pas zgjedhjeve. Zgjedhësit e PS-së duan nga kjo e fundit që të marrë masa qysh tani për mbylljen e shtigjeve të manipulimit.