Berisha, mushka dhe drutë

redaktor

Deklaratat më të fundit të ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, nuk kanë qenë dhe aq diplomatike, në kuptimin e zhveshjes së frazave prej atyre cohave të holla të nënteksteve dhe mesazheve të fshehura. Dhe mesazhi kryesor në lakuriqësinë e tyre, ka qenë ajo se kjo lloj mushke kështu i do drutë! Fjala është sigurisht për PD-në dhe veçanërisht Berishën, që si gjithnjë, në çdo lloj aksioni politik, u mungon natyrshmëria, rregulli, respektimi i disa normave dhe ligjësive elementare të politikës. Dhe nga ajo që lexohet qartë prej deklarimeve të ambasadorit amerikan pas thirrjes për protesta, por përgjithësisht për mënyrën se si po e bën opozitën 7 muaj pasi ka dorëzuar pushtetin, është se diplomacia, gjuha e kodifikuar e saj, e destinuar sigurisht për veshë e dëgjim të rafinuar në artin e politikës, nuk ka më asnjë lloj vlere. Ka ardhur pra çasti që gjërat duhen thënë troç, sipas mushkës dhe kokëmushkësisë së saj. Dhe kjo është e pafalshme për një politikan karriere si Berisha, që fort mirë di se kjo sjellje e tij dhe e partisë që i rri mbi krye, nuk përputhet me asnjë rregull, asnjë normë, asnjë moral. Është një sjellje tipike nervoze si ajo e viteve të para të opozitës së pas 97-ës, që e çoi në atë lloj zgripi politik e izolimi ndërkombëtar, sa vetëm një Nano me shkujdesjen e tij aventuroze në politikë, arriti të rehabilitojë.
Shkurt e qartë, Berisha po kërkon të zhvlerësojë ciklin 9-mujor të ngjizjes e daljes së një foshnje në dritë, duke kërkuar këmbëngulshëm, krejt si një mushkë kokëfortë, që krijesa të dalë për 5 ditë! Ndaj dhe Arvizu u detyrua që, në intervistën e fundit, të mos bëjë shumë diplomatin, përballë atij që puna ta do të flasësh fshatçe, sipas variantit: Ja si i do mushka drutë!

 

Dërguar me email

në adresën e redaksisë

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *