Portieri i Kombëtares beson tek kualifikimi Euro 2016, në Francë: “Kemi një skuadër cilësore dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu. E ardhmja? Kam kontratë, por asnjëherë s’i dihet”
Përpara dy sezonesh, u ble për “vetëm” 300 mijë euro tek skuadra e Kalmarit, në Suedi, ndërsa ishte Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, ai që nuhati këtë marrëveshje që do të rezultonte e suksesshme, duke e “tërhequr” në Romë. Po flasim për Etrit Berishën, gardianin e portës së Kombëtares kuqezi dhe që luan prej dy sezonesh tek skuadra bardhekaltër në Serinë A.
E ndërsa në vitin e tij të parë, minutazhi për “Titin”, ashtu si të gjithë e njohin dhe e thërrasin, ka qenë i konsiderueshëm (shkak dëmtimet e shpeshta të Marketit dhe situata e tij jo e mirë me klubin), në këtë sezon gjërat nuk janë duke shkuar edhe aq mirë. Megjithatë, portieri 25-vjeçar është i bindur se momenti i tij do të vijë. Sot kanë nisur pushimet dhe Etriti do t’i kalojë me familjen dhe të afërmit e tij. Për “Sport Ekspres”, portieri i gjatë 194 cm bën një analizë të vitit 2014 që është duke u mbyllur, me një shpresë për të ardhmen, qoftë në karrierën personale, ashtu edhe për Kombëtarën.
– Etrit, meqë jemi në ditët e fundit të vitit 2014, çfarë note do t’i jepnit vetes tuaj?
– Asnjëherë s’jam i kënaqur me veten, edhe pse jam maksimumin gjithmonë në stërvitje dhe përpiqem që të përmirësohem. Më vjen të them vetëm se ky vit ka qenë tepër i rëndësishëm për mua dhe sidomos për Kombëtaren, ku kemi bërë një punë të shkëlqyer, duke shpresuar që të vazhdojmë kështu edhe në vitin e ardhshëm
– A jeni i kënaqur me rendimentin personal?
– Sigurisht, por duhet më shumë dhe kurrë s’duhet të mjaftohesh me pak
– Kohët e fundit s’keni luajtur shumë pasi ka qenë Marketi ai që ka mbrojtur portën e Lacios. Pak i zhgënjyer nga kjo situatë?
– E vërtetë që ndoshta s’kam pasur minutazhin që do të dëshiroja, por shoh gjithmonë përpara dhe objektivi është afatgjatë
– E ardhmja do të jetë sërish tek Lacio?
– Kam një kontratë me klubin dhe dua ta respektoj atë. Do të luftoj për të rifituar vendin e titullarit në portë. Konkurrenca është gjithmonë diçka e mirë për t’u rritur. E megjithatë, e ardhmja kurrë s’mund të dihet me siguri.
– Kthehemi tek mbrëmja e Beogradit. A e kujtoni shpesh atë që ndodhi në Serbi?
– Nuk dua të flas më për atë që ndodhi aty.
– Sa i përket Kombëtares, që ka mbyllur një vit tepër pozitiv. A mendoni se do mund të arrijë shumë larg?
– Di të them që Kombëtarja ka shumë cilësi dhe grupin e kemi tepër të fortë. Mendojmë të bëjmë gjëra të mëdha dhe qëllimi është kualifikimi në Europianin e Francës, në 2016-n.
– A ju ka ndihmuar transferimi në futbollin italian në përmirësim e karrierës?
– Sigurisht që po. Që kur kam ardhur në Serinë, them se kam hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën time. Jam përmirësuar së tepërmi dhe vazhdoj ta bëj këtë gjë.
– Po pushimet ku do t’i kaloni?
– Në Prishtinë, me të afërmit dhe familjen time.
