Berisha, në përpjekje për të “fshirë” Kievon

anazapta

Etrit Berisha kërkon të anulojë kontratën e nënshkruar me Kievon dhe me këtë po merret menaxheri i tij, Elvjer Raça. Ky i fundit është aktualisht në Verona dhe ka deklaruar për gazetën suedeze “Expressen” se kontrata e portierit kuqezi me klubin italian është e pavlefshme. “Jam në Verona për të prishur kontratën e Berishës me Kievon, një kontratë që nuk vlen aspak. Ka shumë fjalë në lidhje me këtë çështje, por do të mësojmë diçka më shumë pas dy-tri ditësh. Për momentin mund të them që ekzistojnë 99% mundësi që Berisha të vijë në Itali”, thotë menaxheri. Sa më sipër është konfirmuar edhe nga vetë portieri. “Jam duke e kaluar mirë këtë moment.

Kjo është gjithçka që mund të them, menaxheri im është duke ndjekur me kujdes situatën, pres që të bëj më të qartë situatën në orët në vazhdim”. Berisha ka mohuar që marrëveshja me veronezët ka përfunduar: “Nuk jam gati për Kievon, kemi arritur një marrëveshje ekonomike por Kalmari nuk ka aprovuar transferimin. Kam qenë në kontakt me italianët, por jam duke vlerësuar të tjera mundësi”. Skuadra tjetër e interesuar për portierin e Shqipërisë është Lacio dhe Berisha e cilëson si një mundësi interesante, edhe pse atje do të duhej të bënte rezervën e Marketit.

Nëse nuk arrihet transferimi gjatë verës, portieri mund të shkojë në kryeqytetin italian si lojtar i lirë në janar, kur skadon kontrata me Kalmarin. “Lacio është skuadër e madhe kështu që do të ishte një zgjidhje interesante. Të shohim, nëse nuk gjejmë gjuhën e përbashkët tani me Kalmarin, do të qëndroj deri në janar”. Edhe drejtori sportiv i klubit suedez, Svante Samuelson, konfirmon kontaktet: “Kemi pasur kontakte me shumë klube por nuk kemi arritur marrëveshje me asnjë prej tyre”.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *