Portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha, është në një udhëkryq të madh. Nuk ka paqe për të, edhe pasi u zyrtarizua kalimi te Lacio, pasi të tjera telashe dalin në sipërfaqe për portierin kuqezi. Klubi i Kievos e ka çuar në FIFA çështjen e tij. Lojtari firmosi një kontratë me klubin veronez në fillim të korrikut, e cila më pas u cilësua si e parregullt nga ana e agjentit të Berishës, që ditët e fundit të merkatos u transferua në klubin roman. Kjo gjë është kundërshtuar nga Kievo, që tani ka nisur edhe procedurën ligjore. Sipas rregullores së FIFA-s, një futbollist nuk mund të firmosë kontratën me një tjetër klub pa hyrë në gjashtë muajt e fundit të kontratës me skuadrën aktuale. Sipas Kievos, Berisha ka firmosur me ta në qershor, ndërsa kontrata e tij me Kalmarin skadonte në 31 janar. Në rast se Berisha vërteton që kontrata me Kievon është firmosur në korrik, kohë dhe kur është bërë e ditur, atëherë futbollisti mund të vazhdojë qetësisht karrierën e tij te Lacio. Një rast i ngjashëm me atë të Berishës është dhe ai i Lorentes dimrin e shkuar, kur sulmuesi bask nuk firmosi me Juventusin përpara janarit pikërisht për të evituar një skualifikim të mundshëm si pasojë e rregullores së transferimit të lojtarëve të FIFA-s.
