Berisha: Nuk më intereson e ardhmja, vetëm kualifikimi i Shqipërisë

redaktor

Të bësh portierin në një eveniment madhor si Kampionati Europian nuk është e lehtë, pasi përgjegjësia, por dhe marzhi i gabimit është më i madh. Nëse një sulmues me gabimin e tij nuk penalizon me humbje skuadrën, për portierin, gabimi nuk lejohet, pasi ai është pengesa e fundit për të ndalur kundërshtarin. Numri 1 i portës kuqezi, Etrit Berisha, nuk trembet nga sfida, pasi ndjehet i përgatitur për diçka të tillë. Përgatitje që kanë nisur shumë vite më parë, kur ishte ende fëmijë.

“Që fëmijë synimi ka qenë të luaj në një eveniment të madh me Kombëtaren. Jam i gëzuar që ia arrita. Përgjegjësia është e madhe, kemi bërë shumë ndeshje me Kombëtaren dhe gjërat kanë shkuar mirë, shpresojmë të ecim kështu, sepse në Europian ka skuadra të forta”, thekson portieri kuqezi.

Skuadrat e forta i bëjnë individët cilësorë, që për hir të së vërtetës ndaj Shqipërisë do të jenë të shumtë. Franca, Zvicra, por edhe Rumania kanë në gjirin e tyre lojtarë të nivelit botëror, të cilët mund të kthejnë fatin e një sfide me një veprim të vetëm. Megjithatë gardiani 27-vjeçar vlerëson kundërshtarin si skuadër: “Vlerësoj ekipin, jo sulmuesin. Si individë do veçoja Francën me shumë kualitete, por pa anashkaluar Zvicrën dhe Rumaninë që kanë lojtarë të mirë si në sulm edhe në repartet e tjera. Do mundohemi të përgatitemi sa më mirë që të ndëshkojmë ata”.

Rivaliteti me Zvicrën është i madh, teksa edhe mediat e huaja e konsiderojnë si një sfidë derbi, duke parë numrin e lartë të futbollistëve me prejardhje shqiptare në radhët e helvetëve. Etrit Berisha pranon se nuk ka biseduar asnjëherë me shqiptarët që kanë zgjedhur të përfaqësojnë Zvicrën për një bisedë të tillë: “Kam patur kontakt me Xherdanin kur luante tek Interi, por kemi folur për gjëra normale, nuk jemi futur në këto biseda. Ka shumë lojtarë shqiptar në Zvicër, por ne do shohim punën tonë dhe të bëjmë maksimumin për të fituar ndeshjen”.

Tashmë që Kosova është pranuar në FIFA dhe UEFA, të gjithë futbollistët me origjinë nga Kosova që përfaqësojnë ngjyrat e kombëtareve të tjera mund të bashkohen me skuadrën e drejtuar nga Albert Bunjaki. Në mëdyshje është edhe Etrit Berisha, i cili nuk ndjehet mirë nga një situatë e tillë. Ai thotë: “Ka qenë nder të jem me skuadrën e të gjithë shqiptarëve. Tani që është bërë kjo ndarje nuk ndihem në maksimum, pasi si në Kosovë dhe në Shqipëri nuk do të ndjehem mirë”.

Me Europianin në derë, Etrit Berisha duhet të zgjidhë edhe të ardhmen e tij, pasi te Lazio minutat pritet të jenë me pikatore edhe sezonin e ardhshëm. Numri një i portës sonë ka një tjetër prioritet për momentin. “Jam i përqendruar te Kombëtarja, të kënaqemi dhe të paraqitemi sa më mirë. Të tjerat nuk më interesojnë, por vetëm kualifikimi i Shqipërisë. Të ardhmen e mendoj pas Kampionatit Europian”, tha Berisha.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *