Shkëlqen Etrit Berisha, nxjerr Marketin në shitje

anazapta

Etrit Berisha ka luajtur përsëri titullar në portën e Lacios dhe kjo përbën lajm edhe këtë herë, ndonëse kishte ndodhur edhe më parë. Në dy ndeshjet e mëparshme në kampionat, kundër Interit dhe Bolonjës, portieri kuqezi luajti për shkak të dëmtimit të titullarit Federiko Marketi. Dje ka qenë ndryshe, sepse italiani e ka lënë pas dëmtimin, e megjithatë nuk është preferuar nga trajneri Edi Reja as në stol, duke e parë nga tribuna fitoren 3-2 kundër Udinezes. Zyrtarisht është bërë e ditur se Marketi ka pasur një problem me zorrët, por vetë presidenti i Lacios, Klaudio Lotito ka deklaruar për “Sky Sport” se është një zgjedhje teknike e trajnerit. Kaq ka mjaftuar për të lindur spekulimet në lidhje me të ardhmen e portierit të kaltër, i cili i intereson shumë Milanit. Që në merkaton e verës parashikohej shitja e portierit dhe kalimi i Berishës mes shtyllave si titullar, por nuk pritej që kjo ndodhte teksa Marketi të ishte ende te Lacio. Qëndrimi i Berishës edhe dje si titullar mund të justifikohej me faktin që shqiptari ka shkëlqyer në ndeshjet e mëparshme dhe trajneri nuk kishte pse të bënte ndryshime. Por, fakti tjetër, që Reja e ka çuar në tribunë dhe ka mbajtur në stol Thomas Strakoshën flet për krisje midis trajnerit e portierit italian. Ky i fundit nuk ka luajtur ende më 2014, ndërkohë që ndeshja e fundit e tij është më 22 dhjetor të vitit të shkuar, ku Lacio u shpartallua 4-1 nga Verona. Sipas zërave nga Roma, Marketi i ka kërkuar klubit një kontratë të re me 2.5 milionë euro në sezon, gjë që nuk duket e pranueshme nga ana e presidentit Lotito. Tani është momenti që të lëvizë Milani, pasi edhe portieri do të bënte ç’është e mundur që të zgjidhë çështjen e së ardhmes vetëm pak muaj para botërorit. Nëse te Lacio bëhet zëvendës i Berishës, zor se Çezare Prandeli do ta merrte me vete në finalet e Brazilit. Ndërkaq, për kronikë, Berisha ishte sërish protagonist në fitoren e skuadrës së tij dje, me disa ndërhyrje të mira, ndërkohë që pati edhe momente nxitimi. Për golat, njëri me penallti, ishte i pafajshëm dhe paraqitja në Udine mund të llogaritet si një tjetër lojë e mirë nga ana e tij.

 

 

 

 

Share This Article
2 Comments
  • Eshte nje paaftesi e shume menaxhereve sportiveve, qe nuk arrijne te shikojne lojtare premtues, ketu fus edhe menaxheret e Barcelones, ku portierin Etrit Berisha, mund ta merrnin.
    Etrit Berisha do te shkelqeje ne Itali dhe shume shpejt brenda dy viteve, do ti vine oferta nga klubet kryesore te Europes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *