Dalja e 1.3 miliardë lekëve jashtë vendit është komentuar më në fund nga Berisha. Kryeministri ka hedhur hije dyshimi mbi raportin e Global Finance Integrity, duke shtuar se edhe nëse shifra prej 1.3 miliardë dollarësh që përmendet në këtë raport, është e vërtetë, ajo është më e ulëta në rajon.
“Para dy muajsh, një organizatë ndërkombëtare, pavarësisht se cila është kompetenca e saj, njoftoi se nga Shqipëria kanë përfunduar në kontot në bankat e huaja 1.3 miliard dollarë. Kjo është shifra më e ulët e rajonit dhe në këtë aspekt Shqipëria ishte vendi me shumën më të ulët. Të mos harrojmë që në 2004, raporti i BB-së shprehej se në një vit 1.4 miliard dollarë përfundojnë në kontot e zyrtarëve kontrabandistë. Vitin e kaluar, ne bëmë një amnisti. Unë gjykoj se kjo përbën një motiv të fortë hetimi. Në radhë të parë, Ministria e Financave duhet t’i kërkojë FMN-së të japë të gjitha të dhënat që ia ka dhënë kësaj organizate dhe FMN-ja është detyruar t’u japë shteteve anëtare të dhëna të tilla. Prokurori i Përgjithshëm, drejtoria kundër larjes së parave duhet të përdorin të gjitha lidhjet në ndjekje të këtyre shumave”, tha Berisha.
