AK denoncon vendimin e qeverisë për krijimin e vendeve të reja të punës në prag të fushatës elektorale. Ashtu si deputetët e opozitës një ditë më parë gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë, AK e ka vënë theksin te shtimi i punonjësve në strukturat e Shërbimit Informativ Kombëtar. Sekretari Politik i Aleancës Kuq e Zi, Eduard Kaca, tha se këta punonjës të rinj do të përdoren nga Sali Berisha për qëllime elektorale, për të blerë votën e qytetarëve, ndërsa më pas do të flaken në rrugë.
Deklarata
“Aleanca Kuq e Zi denoncon përpara opinionit publik vendimin e fundit te qeverisë së shtetasit Sali Berisha që lidhet me krijimin e vendeve të punës në prag të fushatës elektorale.
Ditën e mërkurë Sali Berisha ka firmosur fryrjen e administratës me 240 kontrata të përkohshme nga të cilat një pjesë e mirë në strukturat e Shërbimit Informativ. I njëjti fenomen po vërehet në disa nga Bashkitë dhe Komunat nën drejtimin e partisë-shtet.
Këto kontrata të përkohshme po përdoren nga Sali Berisha për qëllime elektorale, për të blerë votën e qytetarëve duke i krijuar kushte pagese për 6 muaj dhe për t’i flakur më pas në mes të katër rrugëve dhe zhytur në krizë ekonomike dhe sociale.
Sali Berisha është antishqiptari më i madh pasi në kushtet kur arka e buxhetit të shtetit është e boshatisur krejtësisht, ku borxhi publik ka kapur pikën e moskthimit, kur investimet janë bllokuar nga mospagesat dhe kur investitorët e huaj po tërhiqen, ai krijon vende pune për qëllime elektorale duke e thelluar edhe më shumë “gropën e zezë” financiare të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Sali Berisha nuk ka ndryshuar, ai është po i njëjti me Berishën e viteve 1996, ai vijon të tregojë me vepra se është i gatshëm të bëjë gjithçka për të mbajtur pushtetin duke e mbushur çdo organikë të shtetit shqiptar me militantë në prag të çdo procesi zgjedhor.
Ai këtë herë nuk do t’ia dalë. Shqiptarët e kanë kuptuar tashmë se ai është i ngjashëm me firmat piramidale, kolapsi i të cilave solli trazirat e 1997-s dhe që mban sërish firmën e shtetasit Sali Berisha”.