Kryeministri Berisha ka pritur sot ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Në përfundim të takimit, Berisha dhe Haradinaj kanë dhënë një konferencë shtypi të përbashkët.
Gjatë përgjigjeve për gazetarët, Berisha ka komentuar deklaratat e tij për bashkimin kombëtar dhe nismën për shtetësinë.
“Përpjekjet për bashkim kombëtar janë ideali i të gjithë shqiptarëve. Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Europën. Unë u përballa jo vetëm me reagimin e albanofobëve, por edhe të mediave. Lexoni dekretin e ish-presidentit Berisha në ’92-shin. Në atë kohë nuk kishte reagim. Kurse tani që po ecet drejt këtij procesi, ka reagime. Lexoni aktin e pavarësisë, kush e firmosi. Ishin delegatë nga të gjitha trevat shqiptare”, tha Berisha.
Ndërsa ish-kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar dhënien e shtetësisë si kthimin e një të drejte të munguar.
“Meqë tashmë shqiptarëve u jepet e drejta për të marrë shtetësinë, unë e shoh këtë si një veprim për t’u dhënë të drejtën e munguar”, tha Haradinaj.