Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në Konferencën kundër Dhunës ndaj Gruas. Pikërisht në momentin kur në media sapo ishte bërë publike një vrasje monstruoze pikërisht e kësaj natyre në Vlorë, ku një burrë masakroi gruan shtatzënë, kryeministri Berisha u shpreh se qeveria e tij do të bëjë gjithçka për të luftuar dhunën ndaj grave.
“Të bëjmë gjithçka për një përgjigje sa më të mprehtë dhe sa më të vendosur kundër dhunës në familje. Ky fenomen po vjen në rritje. Po t’u referohemi statistikave, nga fillimi i shekullit deri në vitet ‘90 vrasja e grave në këto 20 vite është më e madhe se dy shekuj më parë. Qeveria do bëjë gjithçka për të mbështetur liritë dhe të drejtat tuaja”, tha Berisha.
Duke folur më tej për dhunën në familje, Berisha tha se qeveria duhet të ndjekë politika që inkurajojnë femrat të ndjekin karrierën. “Sot administrata dominohet ndjeshëm nga gratë dhe vajzat, të cilat kanë një performancë të shkëlqyer. Diferenca gjinore ka zbritur në 17.7 për qind gjatë viteve të qeverisjes tonë. Qeveria në politikat arsimore konstaton se në universitete është më e madhe sesa e djemve, sepse ato janë shumë më të përkushtuara. Qeveria do të bëjë gjithçka për gratë dhe vajzat që të ndjekin karrierën. Nuk ka gjë më të rëndësishme se inkurajimi i grave dhe vajzave që të mos pranojnë të kthehen në gra shtëpie. Gruaja është e aftë të jetë nënë, bashkëshorte, por edhe një eksperte, specialiste dhe drejtuese e suksesshme. Kërkoj që të bëhet përpjekje e madhe që vajzat të ndjekin karrierën e tyre. qeveria do të bëjë gjithçka mundet për të shembur këtë mur që vjen nga mijëvjeçarët dhe që është sot dhunuesi kryesor i lirive dhe të drejtave të njeriut”, tha Berisha.