Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha ka sulmuar akademikun Rexhep Qosja, duke e cilësuar si mbrojtës i diktaturës së Enverit. Gjithashtu, Berisha ironizoi edhe nderin që Bashkia e Vlorës i bëri Qoses më 28 Nëntor, duke e shpallur “Qytetar Nderi”.
“Rexhep Qosja thotë që bëri institucione serioze. Kur shkuan shqiptarët në Vuthaj, dy shtëpi nuk u hapën kurrë, njëra ishte ajo e profesorit të Shpëtim Gjikës. Dhe i shpërblehet kjo atij që mbrojti diktaturën më çnjerëzore”, tha Berisha.
Gjithashtu, Berisha komentoi edhe aktivitetet e Partisë Socialiste për Ditën e Rinisë, duke thënë se Rama shmangu disa prej ish-dhjetoristëve që janë në partinë e tij. Më tej, Berisha foli për një komplot të mundshëm kundër tij, që sipas kryeministrit është bërë 5 ditë më parë, në një nga lokalet e Tiranës.
“Në Rozafa Palace, në aparencë po festohej një ditëlindje e një prej ish-bashkëpunëtorëve të mi. Në thelb ishte një lloj përpjekjeje për një gjysmë komploti ndaj Sali Berishës. Cilat ishin etapat? Filloi me tezat se Enver Hoxha bëri shtet. Ideolog ishte përzgjedhur nënkryetari i plotfuqishëm i PS, Koço Kokëdhima. Dëshmitarë ishin Edi Rama dhe Spartak Ngjela… Dhe i thotë një ministri im, një gazetar i një gazete që nuk botohet më, “O Spartak, çfarë shteti bëri Enver Hoxha”. “Në burg më futi po më futi me ligj”, tha Ngjela. Pastaj i kthehet Edi Ramës, “Këtu keni ardhur për të bërë enverizëm apo për të festuar?”. Muhabeti u prish komplet kur ky gazetari që nuk po ja përdor emrin, i thotë atyre, (Ramës dhe deputetëve PS), e di si është problemi, kur unë kisha muhabet me Berishën i kisha thënë në mënyrë të përsëritur, që 3 vetë s’të duhen më, i pari Spartak Ngjela, i dyti, Mero Baze dhe i treti, Bamir Topi. Kjo e xhindosi atë”.
Duke u ndalur te buxheti i vitit 2013, Berisha tha se ai “do të mundësojë hapjen e mijëra vendeve të reja pune”.
Sipas tij, buxheti është më i madhi në histori, ndaj “është e dhimbshme që kjo opozitë nuk paraqiti një amendament të vetëm për buxhetin”.
Rama: Berisha, kryeministri që hap vende pune të padukshme
Ndërkohë, vetëm pak minuta më pas, kreu i PS-së, Edi Rama, ka reaguar në Tuiter. Rama ka ironizuar deklaratat e Berishës për komplote, duke qëndruar në të njëjtën logjikë. “Parafytyrojeni një kryeministër në Bashkimin Europian që thotë: “Ne krijojmë vende pune të padukshme, që mund t’i shihni vetëm përmes meje!”!…