Kryeministri Berisha ka udhëtuar sot drejt Librazhdit, ku inauguroi rrugën Hotolisht-Frarë. Gjatë fjalës së tij para banorëve të zonës, kryeministri akuzoi kreun e PS-së se gjatë 8 viteve të qeverisjes së PD-së është përpjekur të bllokojë vendin. “Gënjen vetëm burri që ka frikë nga vetja e tij. Dy janë alternativat e tij, gënjeshtër dhe mohim. Duke mohuar Shqipërinë reale ai shpall të gënjeshtër mundin, punën e të gjithë shqiptarëve, shpall të gënjeshtër anëtarësimin e Shqipërisë në Nato, liberalizimin e vizave. Këto 8 vite Rama bëri vetëm një gjë, gjithçka për të bllokuar, por fatmirësisht NATO-n nuk e bllokove dot, nuk bllokove dot lëvizjen e lirë të shqiptarëve, ndonëse bëre gjithçka që t’u hiqje këtë mundësi shqiptarëve, bllokove ligjet me 3/5-at. Ia arrite, por dita e gjykimit po vjen shpejt. Me atë bllokim, ka bllokuar qindra mijëra euro investime për qytetarët. Mbështetje nga BE për ujësjellës, shkolla, kopshte, vaditje. Bllokove vetëm për ligësinë e shpirtit tënd, sepse mendove se nëse merrej statusi, Berisha do të merrte kredi të mëdha. Berisha dhe qeveria e tij bëri çdo gjë dhe statusi u rekomandua për Shqipërinë nga KE, me kushtin për të votuar këto 3 ligje. Me bllokimin e ligjeve ke bërë një akt të shëmtuar, ke shkelmuar çdo interes jetik të shqiptarëve. Janë me dhjetëra mijëra emigrantë shqiptarë që vetëm për shkak të mos marrjes së statusit nuk u njihet pensioni në vendet ku punojnë. Po të merrej statusi do t’u njihej pensioni dhe koha e pensionit siç u takon”, tha Berisha.
Leave a comment