Kryeministri Berisha deklaroi se kreu socialist Edi Rama të lexojë votimin e një dite më parë të komisionit të jashtëm të PE, për rezolutën për Shqipërinë. Sipas kryeministrit çështja e Fierit nuk është përmendur në asnjë nen të rezolutës.
“Dje në PE është votuar për rekomandimin e këtij institucioni për statusin e kandidatit për Shqipërinë. do të doja që zoti Rama të lexonte këtë votim. I garantoj shqiptarët se nëse Fieri do të qëndronte si problem ajo rezolutë do të kishte jo një, po disa nene për Fierin. Nëse këtë zoti Rama nuk e ka ngritur në të gjitha instancat që ka mundur ta ngrejë po ka marr një përgjigje të prerë se nuk shohin asnjë lidhje…”, tha kryeministri.
Referuar çështjes së Fierit, Berisha tha se ka ofruar zgjidhjen nëpërmjet mocionit për këshilltarët. “Megjithë këtë ne në interesin më të mirë kemi ofruar zgjidhjen më të plotë, mocionin për të gjithë këshilltarët. Fakti që mocioni nuk pranohet, që u tërhoqën nga gjykimi i çështjes, të gjitha këto dëshmojnë se tani janë të kënaqur. Unë sërish mbetem tek mocioni si rruga më demokratike, ose po të dojë të vazhdojë shqyrtimin në themel po u tërhoq, sepse e përmbushi misionin”, vijoi kryeministri.
Një ditë më parë, deputeti socialist Armando Subashi tha se çështja e Fierit do të marr zgjidhje nëse kryeministri Berisha pranon të ulen në karriget e tyre 11 këshilltarët e majtë.