Partia Demokratike ka çelur sot zyrtarisht fushatën në qytetin e Lezhës, ku ka prezantuar atje edhe kandidatët për deputetë të zgjedhjeve të 23 qershorit për këtë qark, listën e të cilëve e kryeson Aldo Bumçi.
Kreu i të djathtëve Sali Berisha u shpreh se edhe në këtë shesh ka sjellë uraganin e fitores së merituar, ndërsa u shpreh se “ky është starti më madhështor i fushatave tona”.
Duke përmendur investimet e bëra deri më tani, të cilat sipas kryeministrit do shtohen edhe në 4 vitet e ardhshme, ai deklaroi se në këtë rrugë e prin dhe e frymëzon Skënderbeu.
“Neve na prin në rrugën tonë dhe na frymëzon Skënderbeu. Kete qe i ka bere vendit ky njeri nuk ia ka bere askush. Çdo ti themi shpirtit te ketij burri qe luftoi per te mbrojtur vlerat perendimore te ketij vendi. Ia dolëm të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO, të nënshkruajmë marrëveshjen e stabilizim-asocimit, të lëvizim të lirë, ia dolëm të meritojmë statusin e vendit kandidat, por u bllokuam për 3 ligje, pra jemi qytetarë me besim tek vetja, tek Lezha, tek e ardhmja jonë. Nga kjo tribunë u bëj thirrje qytetarëve të Lezhës të bashkohemi në rrugën tonë drejt Europës”, tha Berisha.
Edhe nga sheshi i Lezhës kreu i qeverisë nuk kurseu akuzat për socialistin Rama duke e quajtur atë piktor të dështuar që ka mbetur në autobusin mavi. Duke iu drejtuar socialistëve të Lezhës, Berisha tha se PS udhëhiqet nga një njeri pa vizion dhe ide që nuk është lider.
“Socialistë dhe socialiste të Lezhës në dokumentat tuaja, parimet tuaja nuk ekzistojnë qëndrime antieuropiane, ato ekzistojnë në mendjen, shpirtin dhe kokën e atij që ka uzurpuar PS. Sot në Shqipëri i madh dhe i vogël, çdo i paparti dhe cilido qoftë konstaton se në selinë mavi lumenj fjalësh, shpifjesh trillimesh e mashtrimesh por nuk ka lider, nuk ka ide, nuk ka vizion. Ky piktor i dështuar ka nxjerrë tani teorinë e Shqipërisë së gënjeshtërt, sipas tij shtëpitë tuaja janë të gënjeshtërta, energjia që s’ndërpritet është e gënjeshtërt, rrugët e reja janë të gënjeshtërta, mijëra turistë që vijnë janë të gënjeshtërt sepse ai jeton prej vitesh në autobusin mavi me xhama të zinj dhe nuk sheh asgjë përreth.