Kryeministri Sali Berisha ftoi kryetarin e opozitës Edi Rama që të ulet në bisedime për të shqyrtuar, propozuar dhe vendosur çdo amendament në lidhje me tre ligjet që kërkon Komisioni Evropian, për të dhënë më pas rekomandimin final të statusit të vendit kandidat.
“Shfrytëzoj mbledhjen t’i bëj apel zotit Rama që në një akt përgjegjësie e të lartë të frymëzuar nga përpjekjet e shqiptarëve që sollën këtë vend në 100-vjetorin e Pavarësisë, si vend dhe komb i lirë të takohemi në çdo kohë dhe kudo që të dëshirojë për të diskutuar për tre ligjet që kërkon KE. Unë jam disponibël deri në orën 24.00 të kësaj dite të takohemi, të vendosim të shqyrtojmë në çdo nivel që dëshiron ai, çdo propozim, çdo amendament të lidhur me ligjet që duhet t’i votojmë në Kuvend. Gjykoj se këtë veprim e presin të gjithë shqiptarët e të gjithë brezave sot”,- tha Berisha.
Ndërsa ftoi Ramën të përmbushë premtimin e tij për votimin e të gjitha ligjeve të integrimit, kryeministri tha se “historia nuk ndërtohet me bllokime apo inate”. “Nuk mbrohen interesat e rëndësishme personale të qytetarëve shqiptarë dhe ato kombëtare, duke bllokuar votimin e 3 ligjeve për shkakun e vetëm se beson se kështu mund të dëmtohet kundërshtari i tij politik”,- vijoi Berisha.
Më tej shefi i qeverisë theksoi se çështja e Qarkut të Fierit nuk mund të lidhet me interesin jetik të qytetarëve, siç është integrimi në BE. Kryeministri shprehu bindjen se në çdo rast shqiptarët do të zgjidhnin integrimin dhe do të kërkonin votimin e 3 ligjeve të kërkuara.
“Nëse në Fier dhe në Shqipëri do bënin një referendum për këto ligje, kam bindjen më të thellë se të paktën 80 për qind të qytetarëve të këtij vendi do votonin për hir të integrimit. Të jemi realist, status do të thotë hapje dyersh për vendin, për projekte të mëdha që tejkalojnë shumë herë fondet e deritanishme, sigurisht mbi bazën e projekteve, përgatitjeve. Shanset dhe mundësitë janë shumë më të mëdha se sa me bllokimin e tyre”, – tha kryeministri.
Berisha theksoi se mazhoranca ka paraqitur një opsion për zgjidhjen e çështjës së Fierit, ndërsa sipas tij, Rama nuk ka ofruar asnjë zgjidhje për tejkalimin e këtij ngërçi.
“Nëse do zgjidhje politike atëherë bëjmë mocion, po do zgjidhje gjyqësore, të presë derisa të gjykohet në themel çështja. Uroj që zoti Rama ta mirëkuptojë këtë ftesë të sinqertë që i bej dhe absolutisht do fitojë nga kjo çdo qytetar shqiptar. Do konsolidohet pozita e çdo qytetari shqiptar si qytetar i ardhshëm evropian”,- u shpreh kryeministri.