Kryeministri nis të kërkojë mandatin e tretë nga Sukthi
Kryeministri Berisha shprehet i sigurt se do të fitoj një tjetër mandat në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Ai thotë se PD ka plane për të bërë gjëra të mëdha katër vitet e ardhshme por nuk përmend në asnjë rast një bilanc të katërvjeçarit të fundit që ka qenë në qeveri. Besimin e tij për një tjetër mandat, Sali Berisha po e mbështet tek të rinjtë. 430 prej tyre në bashkinë e Sukthit u anëtarësuan në Partinë Demokratike, një vendim i mençur, siç tha kreu i demokratëve, për të ftuar të rinjtë e Shqipërisë t’i bashkohen forcës politike që, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, lëvizjen pa viza të shqiptarëve dhe me përpjekjet për marrjen e statusit të vendit kandidat, po bën realitet moton e dhjetorit ‘90: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Duke folur për zgjedhjet elektorale që po afrojnë kryeministri ftoi të gjithë anëtaret dhe anëtarët më të rinj të Partisë Demokratike, por edhe të gjithë anëtarët e tjerë të PD dhe mbështetësit e PD për tu paraqitur në çdo derë e për të trokitur në çdo zemër me ballin lart, sepse ne pavarësisht nga vështirësitë, nga të metat apo gabimet, ne- theksoi kryeministri – kemi mbajtur fjalën tonë, kemi mbajtur premtimet tona. Kryeministri u shpreh se katër vitet që vijnë janë vitet për ta shndërruar tërësisht Shqipërinë ta shndërrojmë. Ai ftoi të rinjtë shqiptarë dhe degët e PD në mbarë vendin të frymëzohen të marrin shembull nga të rinjtë e Sukthit. “Le të jetë ky akt një akt frymëzues për të gjithë të rinjtë dhe te rejat në Shqipëri, qytetarët dhe qytetaret e vendit për tu bashkuar së bashku ne projektin e madh të Shqipërisë vend i zhvilluar, të Shqipërisë Evropiane”, tha Berisha.
430 të rinj janë bërë pjesë e anëtarësisë së PD-së gjatë ditës së djeshme në Sukth. Berisha i ka cilësuar të rinjtë si të tepër të mençur. Ai u premtoi të rinjve se brenda datës 15 nëntor qeveria do të mundësojë shpërndarjen e internetit falas në 1250 pika në të gjithë vendin.