Në një takim me gazetarët, i fundit për këtë vit, kryeministri Berisha deklaroi se Shqipëria është shndërruar sot në një vend të zhvilluar, falë përpjekjeve të qeverisë për të zbatuar me vendosmëri eksperiencat më të avancuara në fusha të ndryshme.
Duke cituar pasazhe nga parathënia e librit të ish-kryeministrit britanik, Tony Blair dhe duke iu përmbajtur disa pikave kryesore, që shfaqeshin në një videoprojektor, teksa qëndronte në këmbë përpara të pranishmëve, kryeministri rënditi arritjet e qeverisë së tij në aspekte të ndryshme, duke theksuar se qëllimi madhor i qeverisë është shndërrimi i pasurisë kombëtare në mirëqenie për qytetarët.
“Gjatë këtyre viteve, në mënyrë të përsëritur, duke iu përmbajtur të vërtetave, u kam deklaruar shqiptarëve se nuk ka qëndrim më madhor sesa shndërrimi i pasurive të vendit në mirëqenie për ta. Shpesh jam akuzuar se po përdor nota euforike për këtë apo atë zhvillim. Por çdo gjë që e kam bërë e kam bërë në përmbajte të së vërtetës”, – tha Berisha.
Sipas kryeministrit, qëllimi i qeverisë është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. “Gjithë këto vite jam përpjekur për të sjellë në Shqipëri eksperiencat më të avancuara në fusha të ndryshme dhe t’i implementoj me përgjegjësinë më të madhe. Jemi përpjekur të marrim shembujt më të shkëlqyer në biznes, të përfitojmë nga eksperiencat më të avancuara për Shqipërinë dixhitale. Për herë të parë janë zbatuar eksperienca si përpunimi elektronik apo forma të tjera të regjistrimeve”, – tha Berisha.
Kryeministri vuri në dukje se përsosja e reformave në drejtësi është dhe mbetet qëllim madhor i kësaj mazhorance. “Tashmë që vendi ka një ekip të ri në drejtimin e KLD-së reformat në këtë fushë po ecin pa ndërprerë. Qeveria është e gatshme të bëjë gjithçka për garantimin e ligjit dhe të sigurojë drejtësi për qytetarët e saj”, – tha Berisha.
Ai bëri të ditur se “Shqipëria ka bërë progres në regjistrimin e biznesit. 7 vite më parë Shqipëria notonte mbi liçenca dhe leje. 2/3 e tyre u kthyen në vetëdeklarime, 1/3 e tyre u grumbulluan në Qendrën Kombëtare të Licencave dhe Lejeve”.
Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për të qenë një nga vendet më tërheqëse për investimet e huaja. “Ka marrë mbi 1 miliardë dollarë investime. Vitin e shkuar OECD do të deklaronte se Shqipëria ka marrë investime të huaja më shumë se kapacitetet ekonomike të saj”, tha Berisha, duke shtuar se “asnjë vend nuk ka bërë në një kohë më të shkurtër një ngritje më madhore në infrastrukturën rrugore dhe ujore, si dhe atë dixhitale”.
“Shqipëri që 6 vite më parë kishte një indeks 4 % të hyrjes në internet sot e ka mbi 60%. Shqipëria asfaltoi, ndërtoi dhe rikonstruktoi mbi 10 mijë kilometra rrugë, më shumë se i gjithë rajoni i marrë së bashku. Sot Shqipëria ka një sistem shëndetësor që ka aksesin e 3-të në Europë, dhe ka rekrutimin arsimor më të zhvilluar”, u shpreh Kryeministri.
Berisha theksoi se “7 vite më parë vendi ishte i kapur nga krimi. Me një vendim të madh të të gjitha organeve për zbatueshmërinë e ligjit u arrit të shkatërrohen 204 grupe kriminale, duke e shndërruar Shqipërinë në një ndër vendet më të sigurta në rajon e më gjerë. Natyrisht ky është një proces në vazhdim”.
Sipas Kryeministrit. “është e njohur tashmë botërisht se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka pasur ulje të papunësisë, falë reformave të qeverisë. Shqipëria ka ruajtur një rritje konstante ekonomike edhe në kushtet e krizës”.