Kryeministri Sali Berisha kërkoi që të njihen në vendin tonë lejet e qarkullimit të automjeteve të marra jashtë, ndërsa preku edhe çështjen e taksës progresive të propozuar nga PS-ja, të cilën e ka kundërshtuar vazhdimisht.
Kreu i qeverisë iu referua një studimi ndërkombëtar për të ilustruar konceptin e qeverisë së tij lidhur me taksën e sheshtë dhe atë progresive, i cili thekson se taksa e sheshtë është taksa më optimale, ndërsa taksa progresive është e rrezikshme, e shton më tepër pabarazinë.
“Ajo çfarë ky studim fakton është se kjo taksë është e rrezikshme, dhe kjo është taksa progresive. Studimi thekson se në pamje të parë kjo taksë shton barazinë, por në fakt kjo taksë e thellon më shumë pabarazinë. Prandaj ky parim sot duhet pranuar. Taksa progresive përbën një kërcënim serioz dhe uroj që zoti Rama mos ta përdorë atë”, tha Berisha.
Më tej Kryeministri nuk ngurroi të përdorte edhe ironinë ndaj kundërshtarit të vet politik, duke e akuzuar se është duke ricikluar taksën e famshme të dajës së tij në kohën e diktaturës.
Reagimi i Rames në Twitter
“Pardje ne SHBA u betua Presidenti qe mori voten per te ulur taksat e 95% te amerikaneve dhe bere qe kush fiton me shume te paguaje me shume. Sot Kryeministri ynë thote qe dhe Amerika e ka kapur qe taksa e sheshte eshte optimale kurse progresivja eshte dordolec!Kush eshte dordoleci mes tyre?”