Kreu grupit parlamentar socialist dhe kryeministri Berisha janë përfshirë në debate gjatë seancës së fundit parlamentare për vitin 2012. Kreu i qeverisë ka akuzuar opozitën për bllokim të procesit që do të çonte drejt marrjes së statusit të vendit kandidat në BE. Sipas Berishës, marrja e statusit nuk lidhet me zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
“Komisioni Evropian i dha Shqipërisë tre ligjet me qëllim marrjen e statusit, por të cilat qëndrojnë të bllokuara si mur për bllokimin e procesit të integrimit nga kreu i opozitës. Ky bllokim nuk ka ndodhur kurrë në historinë e BE, kurrë ndonjëherë një lider i një force kryesore politike nuk ka guruar të ngrihet kundër interesave të kombit të tij dhe të përdorë votën e qytetarëve që kanë si ëndërr kryesor integrimin, për të bllokuar ata”, tha Berisha. Berisha u uroi deputetëve të maxhorancës dhe kryetares së Kuvendit fitore në zgjedhjet e 2013-s.
“Urim, së pari për zgjedhësit shqiptarë, janë deputetë, ministrat, kryeministrat e vërtetë të Shqipërisë, gëzuar vitin e ri. Gëzuar ju deputetë, gëzuar ju kryetarja e Parlamentit, një vit i mbarë, me fitore në vitin 2013”.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist është ndalur në shitjen e pasurive shtetërore. Ruçi akuzoi Berishën se ka dështuar në procesin e privatizimit. “CEZ-in po e përzë apo po të ikën?! ARMO grabitje totale, Albpetrol, mashtrim klasik deri tani”, tha Ruçi. Më tej, ai tha se përgjegjësi kryesor për mosmarrjen e statusit është vetë kryeministri dhe qeveria e tij. “Ke kapur të gjitha institucionet kushtetuese”, iu drejtua ai Berishës.