Në kujtim të 20 shkurtit të vitit 1991 dhe rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha, kryeministri Berisha ka postuar sot në rrjetin social “Facebook” një fotografi të asaj dite shoqëruar me një shkrim, ku nënvizohet fakti se kjo ditë nderohet sot nga shqiptarët si anëtarë të NATO-s dhe qytetarë që lëvizin të lirë në mbarë Europën.
Më tej kryeministri thekson se 20 shkurti përkujtohet si dita e rrëzimit të diktaturës, ndërsa 23 qershori i ardhshëm sipas tij, do të shndërrohet në ditën e rrëzimit të murit të bllokimit, duke shprehur bindjen për fitoren e PD-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Sot është 20 shkurti, dita që përmbysëm diktaturën hoxhiste! Të dashur miq! Më 20 shkurt 1991, të rinjtë dhe qytetarët e Tiranës, të udhëhequr nga PD në një akt guximi të jashtëzakonshëm, përmbysën në Tiranë me lëvizjen më të fuqishme, më masive e popullore, bustin e tiranit më mizor, Hitlerit të pasluftës së Dytë Botërore, Enver Hoxhës. Studentët me grevën e tyre të urisë, të rinjtë dhe qytetarët e Tiranës, 22 vjet më parë, nuk përmbysën vetëm shtatorën e diktatorit por dhe bronxet e gjalla të bllokmenëve hoxhistë dhe diktaturën e tyre. Sot, pas 22 vitesh, në nderojmë këtë ditë si anëtare të NATO-s, si qytetarë që lëvizim të lirë në mbarë Europën. Por sot, pas 22 vitesh, neobllokmenët me në krye Edi Ramen ngritën me votën e tyre murin e bllokimit. Më 23 qershor ne do ta shembim atë. Le të nderojmë së bashku sot pasdite në Qytetin Studenti 20 shkurtin, ditën që përmbysëm diktaturën komuniste dhe ndryshuam epokat dhe historinë. Ne jemi ndryshimi – Përpara!”- shkruan kryeministri në profilin e tij në “Facebook”.
Ndërkohë Presidenti Bujar Nishani do të dekorojë sot një grup ish- dhjetoristësh, për kontributin e tyre në Lëvizjen e Dhjetorit ‘90 që çoi në rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha.
Mes tyre është edhe ish-studenti Jamarbër Malltezi, i cili ishte pjesëmarrës edhe në grevën e urisë që çoi në rrëzimin e monumentit të diktatorit 22 vite më parë. Pikërisht sot më datë 20 shkurt, Grupimi i Dhjetorit organizon në Hotel Tirana, në orën 14:00, ceremoninë përkujtimore ku do të jepen edhe dekoratat për Jamarbër Malltezin, Gramoz Pashkon, Abdyl Matoshin, me medaljen e Mirënjohjes, znj.Donika Gërvalla, z.Ajet Ramce e z.Sadik Spahia.