“Berishës i ka hyrë frika , kërkon një ’97-të për të shpëtuar nga ndëshkimi”

Saimir Lleshi

Profesori socialist, Sërvet Pëllumbi thotë se ish-kryeministri Sali Berisha i ka hyrë frika deri në palcë për shkak të reformës në drejtësi.

Ai thotë se Berisha është i tremburi i madh i kësaj reforme, dhe për këtë kërkon të destabilizojë vendin, duke kërkuar një -97-të të dytë.

Në intervistën për “Tema TV”, zt. Pëllumbi deklaron se ka pasur një plan “Katovica”, që sipas tij do të synonte mbajtjen në pushtet të elitave komuniste dhe pasardhësve të tyre, ndërsa do të ngatërronte çështjen e pronave.

-25 viteve, një politikë konfliktuale.. Kur në krye të PS-së ishte Fatos Nano dhe në krye të PD-së Sali Berisha je shprehur se duhen ndryshuar liderët që të ndryshojë modeli politik. Ja ku jemi me liderë të rinj por asgjë nuk ka ndryshuar….?

Është plotësisht e saktë ajo që thatë ju. Gjatë këtyre 25-viteve, situata politike në vend,vazhdon të jetë me probleme të mprehta. U shpresua atëherë se me shpalljen e pluralizmit, do të ndryshonte shumë shpejt situata në vend, do të përmbysej diktatura, do të lindte diçka e re,e gatëshme, që të kishte një mbështetje popullore etj. Pra shpresat e njerëzve ishin të mëdha. Por sot pas 25-viteve, me keqardhje, them se njerëzit e ndjejnë vetën të zhgënjyer.

Para së gjithash nga konfliktualiteti politik midis partive. Tek ne u krijuan shumë parti, madje numri i tyre arriti mbi njëqind! Por realisht ende nuk kemi një sistem politik të mirëfilltë, sepse sistem politik, do të thotë që këto parti të mund të dialogojnë normalisht, të bashkëpunojnë për interesa të përgjithshme kombëtare, për strategji e modele konsensuale të zhvillimi ekonomik e shoqëror të vendit. Por, fatkeqësisht, në të gjitha këto drejtime dominojnë përvojat negative.

Madje, klasa politike duket sikur s’ka vizione të qarta  as për atë se ku po shkojmë! Po ju referohem disa rasteve konkrete..Për shembull problemit të pronave, për të cilin  vandakut të ligjeve iu shtua edhe një ligj i ri në fund të vitit 2015. Besimi se ky ligj mund ta zgjidhë problemin është i vakët. Problemi i  pronave tek ne gjatë 25 vjetëve është bërë një gangrenë. Një fakt edhe më konkret. Janë bërë 427 mijë ndërtime pa leje, shumica e tyre në pronën e tjetrit, 350.000 nga këto janë deklaruar për legalizim, që ka vite që  zvarrite.

Nuk është fjala për persona,por për familje të ç’vendosura kryesish nga veriu, që janë gati gjysma e popullsisë së vendit e vendosur në periferi të kryeqytetit dhe në qytete të tjera. Lëvizje kaotike, pa urbanizim, shpesh, pa kushtet minimale urbane. Politika e lejoi, madje e nxiti, se siç na pat thënë Berisha gjatë një takimi, PD-së i duhet të krijojë bazën e vet sociale, se ‘ju socialistët e gjetët të gatshme’! Vetëm në periferi të Tiranës janë 110 mijë ndërtime pa leje, kryesisht në pronën e tjetrit. Ç’vendosje të tilla kaotike, përveç të tjerash problemin e pronës e kanë bërë edhe më të vështirë.

-Do doja të ndërhyja me një pyetje. Ju keni folur për një fenomen shumë të diskutuar por kurrë të ezauruar si çështje, meqenëse prek çështjen e pronave, është fjala për Katovicën… duket sikur në vitin 1990 kur u rrëzua sistemi komunist u delegua pushteti aty ku deshi PPSH-ja dhe Ramiz Alia?

Po, një nga momentet kyçe të strategjisë së Katovicës, ka qenë pikërisht që çështja e pronës të ngatërrohej. Së pari, që të mos zgjidhej në favor të ish- pronarëve dhe së dyti, që objektet kryesore të pronës të përdoreshin për të krijuar një klasë të re nga ish-komunistë e politikanë të tranzicionit.  Pikërisht kjo ka qenë një nga porositë e “Katovicës”. Kur kam folur për këtë çështje, asnjëherë nuk kam thënë që vajti Ramiz Alia në Katovicë, por që ai e nisi zbatimin e strategjisë Katovica. E megjithatë gjëmën më të madhe në drejtim të pronave e bëri tipi i politikanëve ‘që rrojnë nga politika’.

-Kthehemi tek aktualiteti. Reforma në drejtësi është ndër çështjet më të debatuara në muajt e fundit. Duket sikur elita politike është trembur nga kjo reformë. A e keni konstatuar dhe ju faktin që politika ka frikë nga reforma në drejtësi?

Çështja është e thjeshtë në dukje: që demokracia që të jetë funksionale duhet të ketë ndarje të tre pushteteve, që pushteti gjyqësor të jetë i pa varur. Ndryshe demokracia do të jetë me shumë problem,një demokraci hibride. Realisht gjyqësori tek ne nuk ka qenë asnjëherë i pavarur dhe asnjëherë nuk e ka kryer detyrën e tij në përputhje me parimet dhe normat kushtetuese. Gjynahet e gjyqësorit janë shtuar edhe më tepër nga korrupsioni, që ka ardhur në rritje dhe ka mbetur I pa ndëshkuar dhe i shndërruar në gangrene për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Reforma, që mendohet të bëhet, dhe për të cilën po insistohet më tepër nga ndërkombëtarët se sa nga politikanët tanë, synon pikërisht që të kemi një gjyqësor të pavarur, që njerëzit të kenë besim tek ai dhe garanci, se për çdo padrejtësi, shkelje arbitrare të të drejtave të njeriut do të kenë ku të ankohen dhe të fitojnë të drejtën. Pra që të jepet drejtësi pa qenë nevoja që të fusin dorën në xhep për të paguar gjyqtarët apo prokurorët. Por fatkeqësisht kjo reformë,që duhej të ishte bërë me kohë, po zvarritet.  Shumë njerëz janë bërë edhe më mosbesues ndaj politikanëve të sotëm.

Sidomos nga ata që kanë frikë nga ndëshkimi I ligjit! Gjithsesi, mazhorancë dhe opozitë janë para një sprove serioze. Kurse populli ka një rast tjetër për të mbajtur shënimet e veta!Inercia e praktikës së sintetizuar në shprehjen s’ka ç’na duhet prona po të arrijmë të blejmë një post’,duhet ndërprerë urgjentisht. Sipas të të dhënave të World Ultra Welth Report sot në Shqipëri në duart e 55 personave është përqendruar një pasuri që e kalon gjysmën e prodhimit të përgjithshëm bruto(PPB) Një hendek që thellohet midis  shumë të pasurve dhe shumë të varfërve. Në këtë kategori ka dhe mjaft politikanë, me llogari të majme në banka të huaja deri në ato të Lihteinshteinit, të Qipros, apo të Zvicër.

-A i besoni ju deklaratat e pasurive të këtyre politikanëve?

Sigurisht, shumica e politikanëve të niveleve mesatare dhe të ulëta kanë më tepër sinqeritet në deklarimet e pasurive të tyre, paçka se ndonjë shkelje të vogël mund ta kenë bërë. Por kohët e fundit janë deklaruar politikanë, gjyqtarë e prokurorë që kanë bërë deklarime fikive të pasurisë. Pandëshkueshmëria duhet të marrë fund . Veçse, fiktiviteti në deklarimin e pasurive, fatkeqësisht, po vazhdon të pengojë edhe reformën në drejtësi.

Madje, do të thoja se kur ju përmëndët konceptin e frikës mendova, se FRIKA,  në radhë të parë e ka emrin Sali Berisha. Jo vetëm për pasuri të paligjshme, por edhe për krime si Gërdeci, 21 janari 2011, 1996, 1997, 1998 etj”! Kush mundi ta dëgjonte fjalën e tij në Kuvend ditën e enjte, ditën e masakrës së 4 shkurtit, nuk e ka të vështirë të kuptojë, se kush ka më tepër frikë nga reforma në drejtësi!

Berisha ishte në panik të plotë. Ai do me çdo kusht që ta sabotojë reformën në drejtësi, që të mos ketë pushtet të pavarur gjyqësor, që të ndihet i siguruar. Për këtë arriti deri atje sa të bëjë thirrje antikushtetuese për destabilitet, për mosbindje qytetare ndaj një pushteti të mbështetur mbi votën e popullit, që për të qenka shtet hajdut, mafioz, i korruptuar etj.

Dhe, pa sjellë as një argument a fakt! Vetëm i nisur nga deliri i madhështisë: shqiptarë besoni se kështu u them unë! Mbi këtë baze ai arriti deri aty sa të bëjë thirrje kategorive të ndryshme të shqiptarëve avokatëve, noterëve, mjekëve, infermierëve…bojkotojeni këtë pushtet, ngrihuni në revolta, në demonstrata, në mitingje ‘bjeruni dhe korrini’, siç e thotë Noli në një nga perlat e tij..(qesh). Pra, si mundet një politikan që ka qënë 15 vjet në pushtet  (president, kryeministër), me gjynahe pa fund, të arrijë në një stad të tillë që të bëjë thirrje antikushtetuese.

Në një demokraci normale deputetë dhe Kryetari i Kuvendit, duhej të kërkonin që Sali Berishës, t’i hiqet e drejta e pjesëmarrjes në seancat e parlamentit, të paktën për një muaj. Si qytetar u bëj thirrje ta bëjnë këtë në seancën më të afërt, nëse respektojnë demokracinë parlamentare dhe Kushtetutën e Kuvendi, që është nga më të mirat e vendeve demokratike evropiane.

-Këtë privilegj ja ka dhënë ish aleati tij. Zoti Meta e ka deklaruar që në fillim se zoti Berisha mund të flasë sa të dojë…

Zoti Meta nuk mund të vihet mbi rregulloren që është miratuar me konsensusin e deputetëve. Pushtetii kryetarit është seanca e Kuvendit dhe ai duhet ta respektojë atë. Kjo është çështje parimesh e normash kushtetuese që duhen zbatuar, ndryshe nuk ka demokraci parlamentare, nuk ka funksionim të parlamentit në mënyrë të ligjshme e racionale, siç e kërkon koha.

-Pak ditë më parë u arrestua një ish-ministër i qeverisë Berisha. PD mbajti një qëndrim parimor duke e deklaruar mbështetjen për çdo hetim kundër korrupsionit. Por një ditë më pas doli Berisha dhe e cilësoi arrestim politik. Pak orë më vonë edhe PD e mbështeti Berishën. Nuk ju duket se kjo sjellje politike do ta vështirësojë së tepërmi reformën në drejtësi dhe jo vetëm miratimin e saj, por edhe zbatimin e saj?

Po është e vërtetë që deklarimin “ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet”, e bëri kryetari aktual i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ndërsa Berisha, që mbase nuk kishte pyetur, nxitoi të bëjë deklarimin që është arrestim politik.

Qëllimi i tij, me sa duket, ka edhe një parashikim për të ardhmen, për të shpallur si arrestim politik, çdo rast kur i arestuari do të jetë nga radhet e opozitës së sotme për gjynahet e djeshme. Ndërkaq, me thirrjet antikushtuese që bëri Berisha ditën e enjte, realisht ai synon një destabilizim të vendit për të shpëtuar veten e vet. E ka përvojën!  Në vitin ’’97 përdori destabilizimin që donte ta çonte deri në luftë civile, po për tëshpëtuar veten. Dhe i’a arriti. Tani ta harrojë, ndëshkimi po troket…!

-Megjithatë nuk duket se është vetëm Berisha ose grupi i tij nëse mund ta quajmë kështu, në këtë linjë. Duket se edhe brenda Partisë Socialiste ka të tillë që do të donin ti bashkoheshin këtij qëndrimi të Berishës, për shkak se e shkuara e tyre nuk duket të jetë aq e pastër. Me siguri që ka edhe brenda PS mjaft të korruptuar..

Pa dyshim. Kur përmenda klasën politike, nuk përjashtova as politikanë të caktur nga radhët e maxhorancës, pra të PS-së, që gjithashtu e ndiejnë veten të frikësuar nga një drejtësi e pavarur, e ndjejnë veten të kërcënuar nga ligji. Megjithatë, nuk do të ishte e drejtë që të futeshin të gjithë në një thes, se duhen dalluar nga ata që  kanë mbi kurriz, për shembull krime të përmasave të  Gërdecit, 21 Janarit e të tjera…

 

Share This Article
5 Comments
  • SERVET FLUGERI.
    saliu realisht ashtu eshte, me frike ne palce,nderkohe servet beu, edhe hitleri po te vije ne fuqi,do ti ambjentohet te mare nje karige ne sherbim te tij.
    serveti te kuiton flugerin.

  • Sa qesharake do kujtohen denimet e kafes te Byroisteve!!!
    Mirese Berishes i ka hyre friga ne palce.
    Po ato qe mbroheshin e brohen nga Berisha ne cfare lemerie jane.Perseri kthehemi tek palci i friges.I cili ngelet ne vetmi dhe nuk e merr persiper askush ta mbroje.Kete pike finaleje vetmije i pa mbrojtur nuk e ka blue truni i Berishes.

  • Berishes nuk i ka hyre frika. Te vetmit frikacake te vertetuar me vepra jeni ju socialistet. Ju kemi dhene votat qe te beni shtet e te denoni Berishen me 1998 dhe ju te pabese deshtuat. Ju dhame votat me 2013 te beni shtet e te denoni Berishen per 21 Janarin dhe ju deshtuat serish. Jeni me llum se Berisha.

    • TLN eshte e vertet pa aftesia e socialisteve per te bere shtet se sic thote edhe profesori frikacak eshte e atyre qe kane vjedhur pasurit e shqiptareve por profesori harron qe katovica e fameshme pervec se nuk e co pronen tek i zoti nuk e futi asnjehere ne gare shtresen e te perndjekurve per marrje pushteti ketu fillonte demokracia jo me ata qe e lufta per 40 vjet dhe tani kane marre flamurin si te paret qe po luftojne te keqen komuniste

  • Dhe une nji mendje me juve jam z.TLN & Joti.
    Por duhet te kuptojme qe Berisha ashtu sic shpiku buxhetin e shtetit ne dy maujt mbas humbjes se pushtetit me 2013 ashtu ka psonis e punue per vete duke futur gjithe drejtesine ne sqetull te vet.
    Tashti ta denosh Berishen nuk asht e lehte se i ka te gjithe nen hyqmin e vet.Ndaj duhet rreformuar per ti hyre qilizem sterilizimit.Neqoftse mbas rreformimit ekziston e njejta amulli.Ateher socialistet apo komplet rilindja majtiste asht e frigesuar.Dhe keto duhen shporrur nga karriget.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *