Kohët e fundit operacionet antidrogë janë shtuar, duke sekuestruar çdo ditë më dhjetëra apo qindra kilogramë lëndësh narkotike, brenda dhe jashtë vendit. Por operacioni më i fundit është paksa i “veçantë”, pasi droga e sekuestruar është gjetur në një arkë bananesh. Sasia e drogës është zbuluar në një supermarket të Gjermanisë, të fshehur brenda një arke bananesh. Në total u sekuestruan 140 kilogramë kokainë, e cila kap vlerën prej gjashtë milionë eurosh, raporton “Radio Evropa e Lirë”.
Ngarkesa me kokainë, është zbuluar në kryeqytetin Berlin, në afërsi të shtetit Brandenburg. “Kjo është ngarkesa e dytë më e madhe e zbuluar ndonjëherë në Gjermani, që nga vitin 1987”, -njofton policia e Gjermanisë, nëpërmjet një deklarate për shtyp. Punëtorët e supermarketit në Berlin, kanë lajmëruar policinë pas gjetjes së pakove të dyshuara në disa arka të bananeve. Kjo ngarkesë frutash, sipas policisë, kishte arritur të dielën nga Kolumbia, ndërsa forcat e rendit po hetojnë se si droga nuk u zbulua në terminalet doganore.
