Duke mbledhur stilistë me famë botërore, Berlin Fashin Week po kthehet në një nga aktivitetet më të rëndësishme të modës në botë. Një vështrim në pasarelat nën tendën e bardhë në zemër të kryeqytetit gjerman.
Ndërkohë që isha duke ecur në rrugë me sytë nga vitrinat e dyqaneve, një Mercedes SUV në ngjyrë kafe të errët më kaloi përpara dhe ndaloi në hyrjen e një ndërtese, që pasi e pashë nga afër mësova se ishte një nga rezidencat VIP të Berlin Fashion Week. Sapo shikon automjetet Mercedes SUV VIP në rrugët e Berlinit, mendia të shkon menjëherë tek Fashion Week. Evenimenti zhvillohet që prej një dekade, por gjashtë vitet e fundit marka e famshme gjermane e makinave është sponsorizuese dhe pjesa e transportit menaxhohet tërësisht nga ta.
Të veshur me stil, në ngjyrë të zezë nga koka te këmbët, femra dhe mashkulli që zbritën nga makina u dukën sikur dolën papritur nga një katalog i Hugo Boss-it.
Njerëz të zgjedhur
Ditën tjetër e gjeta veten nën një tendë me dhjetra çifte identikë si ai i një dite më parë: meshkuj me kosutume të zinj, me këmisha të bardha dhe pa kollare e femra të veshura me fustane shik. Praninë e këtyre njerëzve dhe miqve të tyre ish-modelë nuk e kam kuptuar asnjëherë, por mund të them se prania e tyre në tendën e madhe të bardhë prapa Portës së Brandenburgut është në një farë mënyre një fenomen i ri.
Mendon kështu, sepse kur nisi Berlin Fashion Week nuk kishte synimin të kthehej në një vend biznesi. Por përkundrazi, ky eveniment fitoi famë botërore për pasarelat e modës që zhvilloheshin me ngut e që më pas ndiqeshin me festa të çmendura deri në orët e para të mëngjesit.
Hera e parë që pashë një spektakël të Berlin Fashion Week ishte një ditë me shi e vitit 2006 në një kopsht në zonën qëndrore të Berlinit. Një pianist i vendosur në fund të kopshtit me tingujt e tij bëri që spektatorët të pushonin dhe të niste spektakli. Vajza delikate të veshura me fustane të bardhë të tejdukshëm hynë në kopsht nga rruga. Ato ecnin ngadale si fantazma. Ndërsa spektakli ishte drejt fundit filloi shiu, që ndërpreu gjithçka.
Atëherë dhe tani
Më vonë gjatë asaj natë, pashë një tjetër spektakël dhe pas tij shkova në një festë të disa stilistëve të rinj, të cilët kishin arritur të merrnin me qira ndërtesën e ambasadës së Bullgarisë. Kjo e fundit u kthye në një klub me muzikë të lartë, që shtrihej pothuajse në të gjitha dhomat. Por berlinezët nuk mund të festojnë pa pirë shampanjë ose birrë dhe të tymosin duhan. Duke qenë se u krijua ajër i rëndë shkova në dhomën ku nuk lejohej duhani, por edhe atje vetëm një person nuk ishte duke pirë duhan dhe pas pak u gjetëm të dy me kokën në dritare për të marrë ajër të pastër. Ai ishte kamerier, por kishte edhe eksperiencë në qepien e rrobave. Unë isha redaktore. Bashkë na bëri jeta e natës së Berlinit.
U ktheva mbrapa në kohë tek kjo ngjarje, sepse ndërsa isha duke ndjekur një nga spektaklet e modës nën tendën e bardhë mësova se kamerieri ishte bërë një drejtues i lartë marketingu dhe merrej me organizimin e aktivitetit. Interesi i njerëzve për të ndjekur aktivitetin ishte i madh. Në brendësi të tendës ishte një bar shampanje, një banak ku përgatiteshin salcicet gjermane currywurst dhe një kafene. Disa kompani gjermane kanë marrë me qira hapësira për të reklamuar produktet e tyre. Hapësira më e madhe ishte prenotuar nga një kompani uji, e cila kishte ndërtuar një mur me shishe uji që ruhej nga dy modele. Moskokëçarja artistike e viteve të kaluara i ka dhënë eventit një atmosferë magjike.