Berlini paralajmëron Ankaranë

Elton Tafaruci

Gjermania dhe Turqia kanë patur sërish përplasje në nivel diplomatik, teksa edhe njëherë tema e debatit mes tyre është bërë liberalizimi i vizave.

Në një deklaratë për mediat, ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer, përforcoi fjalët e zv/kancelarit Sigmar Gabiel, duke thënë se nëse Ankaraja nuk do të plotësojë e kriteret e paracaktuara, qytetarët turq nuk do të mund të lëvizin lirisht në kontinentin e vjetër.

“Turqia ka ambicie sa i përket liberalizimit të vizave. Megjithatë, më duhet të them se kriteret që duhen plotësuar janë mjaft të qartë dhe Ankaraja ende nuk i ka plotësuar pesë prej tyre. Në këto kushte BE-ja nuk mund të marrë një tjetër vendim për këtë çështje. Turqia ka ende punë për të bërë përpara se të rekomandojmë liberalizimin e vizave”, theksoi Steinmeier.

Kjo deklaratë vjen vetëm pak orë pasi shefi i diplomacisë turke, Mevlut Çavusoglu deklaroi se nëse Turqisë nuk do t’i liberalizohen vizat brenda muajit tetor, atëherë Ankaraja do të anulojë marrëveshjen për strehimin e emigrantëve.

Në bazë të këtij akordi, Turqia ra dakord që të frenojë fluksin e azil-kërkuesve që largohen nga Lindja e Mesme në këmbim të një fondi prej 3 miliardë eurosh, liberalizimin e vizave si dhe përshpejtimin e procedurave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Mos marrëveshjet mes palëve kanë qenë të shpeshta dhe ekspertët druhen se diçka e tillë mund të hedhë poshtë paktin për frenimin e miliona azil-kërkuesve që kanë si synim të mbërrijnë në Evropën perëndimore.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *