Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, i bëri sot thirrje mbështetësve të tij për të protestuar kundër sistemit të drejtësisë, që ai e quan “kanceri i demokracisë italiane”, por që në të vërtetë u shndërrua në një protestë elektorale ku ish-kryeministri bëri thirrje për të shkuar sa më parë drejt zgjedhjeve të reja.
Rreth 300 mijë “berluskonianë”, kjo sipas organizatorëve, zbarkuan rreth orës 15:00 në Sheshin e Popullit në Romë me parulla “Duart larg nga Berlusconi”, duke iu referuar vendimeve të fundit të drejtësisë italiane që kanë pasur në qendër të tyre pikërisht ish-kryeministrin “e 1001 çështjeve gjyqësore”, që nga ato që lidhen me evazionin fiskal, e deri tek ato për favorizim prostitucioni.
“Jemi të gjithë të interesuar për një tjetër fushatë elektorale dhe këtë herë do të fitojmë me të vërtetë. Na quanin të mbaruar, por sot ja ku jemi. Jemi këtu në këtë shesh të mrekullueshëm”, nisi fjalën e tij “Kavalieri”.
Më tej ai sulmoi liderin e së majtës, Bersani, i cili të premten mori mandatimin për formimin e qeverisë së re nga ana e presidentit presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano.
“Nëse Bersani vazhdon përpjekjet e tij për të formuar një qeveri të pakicës, ta dijë që kundërshtimi ynë do të jetë i ashpër, në parlament dhe në rrugë e sheshe. Nëse nuk do të formojë qeverinë e re, atëherë unë i them të mos na humbasë kohë dhe të lënë vendin të shkojë drejt zgjedhjeve të reja sa më parë”, deklaroi ai.
Akuzave të ish-kryeministrit nuk i shpëtoi as Mario Monti dhe qeveria e tij, ende në detyrë. Kjo është besueshmëria e tyre?, tha Berlusconi, duke kundërshtuar dorëzimin tek autoritetet indiane të dy marinarëve italianë që akuzohen për vrasjen e një peshkatari indian.
“Kavalieri” u ndal te emërimet e fundit në parlament ku dy dhomat e tij kryesohen nga e majta, ku Berlusconi fut edhe lëvizjen M5S të humoristit, Beppe Grillo.
“Pas presidencës së Dhomës e Senatit, edhe Presidenca e Republikës duhet të shkojë tek e majta? Kjo është e papranueshme për ne. Bersani, Vendola, Casini dhe Monti s’mund të zgjedhin presidentin e ardhshëm. Kreu i shtetit duhet të jetë i qendrës së djathtë. Kjo është një e drejtë e shenjtë. Ata s’mund të na përjashtojnë nga institucionet e shtetit”, tha Berlusconi.