Berlusconi “mban peng” qeverinë italiane

redaktor

Partia e Silvio Berlusconit, Populli i Lirisë (PDL), ka kërcënuar se do të rrëzojë qeverinë e vendit nëse miliarderi i dënuar për shmangie taksash përjashtohet nga Parlamenti italian

Qendra e majtë e Italisë nuk do të pranojë kurrfarë “shantazhi” nga partnerja e saj e qendrës së djathtë, ka paralajmëruar udhëheqësi i saj, të hënën, pasi partia e Silvio Berlusconit ka kërcënuar se do të rrëzojë qeverinë e vendit nëse miliarderi përjashtohet nga Parlamenti italian.
Raportet ndërmjet partisë së Berlusconit, Populli i Lirisë (PDL), dhe Partisë Demokratike (PD) të kryeministrit aktual Enrico Letta, janë në një fazë kritike në prag të një votimi në tetor në Senat për përjashtimin e mundshëm të magnatit të mediave pas dënimit të tij për shmangie të taksave.
Pas një samiti partiak gjatë fundjavës në vilën e Berlusconit në Milano, anëtarët e PDL-së kanë thënë se përjashtimi i tij nga parlamenti është “i paimagjinueshëm” dhe kanë kërcënuar haptas për rrëzimin e qeverisë nëse partnerët e koalicionit votojnë për përjashtimin e ish-kryeministrit.
“PD kundërshton çfarëdo shantazhi apo ultimatumi nga PDL”, ka deklaruar sekretari i PD-së, Guglielmo Epifani, për “La Repubblica”, të hënën, duke ritheksuar se partia e tij do të votojë në favor të përjashtimit të Berlusconit nga parlamenti italian. “Berlusconi duhet të marrë mësim nga dënimi i tij, dhe duhet të shpjegojë pse do ta rrëzonte qeverinë në një kohë krize”, ka thënë ai.

Ai ka paralajmëruar se nëse qeveria e kryesuar nga Letta do të rrëzohej bash kur ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës po tregon shenjat e para të rimëkëmbjes pas një recesioni dyvjeçar, shoqëria do të përballej me “pasoja të rënda” dhe tregjet financiare do të lëkundeshin përsëri.

Letta po përpiqet të ndërmarrë reforma për të rritur zhvillimin dhe për të luftuar nivelet rekorde të papunësisë në vend, përkundër përçarjeve të thella në koalicionin e tij, i cili është formuar pas zgjedhjeve jovendimtare, të mbajtura në shkurt. Tregjet e obligacioneve janë qetësuar, ndërsa kostot e huamarrjes kanë rënë nën nivelet që kanë shkaktuar shqetësim gjatë kulmit të krizës së eurozonës më 2011, kur Berlusconi ka dhënë dorëheqje për t’i çelur rrugë një qeverie teknokrate.

Megjithatë, dallimi në të ardhura ndërmjet obligacioneve 10-vjeçare italiane dhe atyre gjermane është zgjeruar të hënën, teksa investitorët janë brengosur nga një kolaps i mundshëm i qeverisë.

“Nuk duket se politikanët do të arrijnë të gjejnë një kompromis për të dalë nga kjo krizë, duke i ngrirë të gjitha masat që duhet të ndërmerren për të shtyrë ekonominë tonë përpara”, ka thënë një tregtar në qytetin e Milanos. “Ekziston rreziku se ky ngërç mund të dëmtojë rimëkëmbjen tonë ekonomike bash në kohën kur vendi po tregon disa shenja të përmirësimit”, është shprehur ai.

Letta të dielën ka deklaruar se do të ishte “çmenduri” nëse do të rrëzohej qeveria në një kohë kaq të ndjeshme, por ai ka shtuar se ka besim se administrata mund t’i zgjidhë problemet e saj. Partnerët e koalicionit po grinden edhe për një ndryshim të taksës së banimit, për të cilën duhet të merren vesh të mërkurën. PDL ka kërcënuar se do të rrëzojë qeverinë nëse ajo s’hidhet poshtë, por zyrtarët e qendrës së majtë thonë se nuk ka resurse alternative për ta hequr atë krejtësisht.(Tribuna)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *