Lideri i së majtës italiane, që ditën e premte mori mandatimin nga presidenti Napolitano për të formuar qeverinë e re, vijon bisedimet për gjetjen e formulës së duhur që do t’u siguronte italianëve qeverinë e tyre.
Që kabineti i ri qeveritar të vihet në detyrë, ai duhet që të marrë votëbesimin e dy dhomave të parlamentit italian. Bersani ka numrat në Dhomën e Ulët, por i mungon mazhoranca në Senat. As aleanca me senatorët e lëvizjes së Montit dhe as bashkimi me partitë e tjera nuk ia mundëson këtë.
Për të siguruar mazhorancën, Bersanit i duhet me patjetër mbështetja e njërës mes Grillos dhe Berlusconi-t. I pari ka refuzuar kategorikisht mbështetjen për të dyja kahet tradiconale të politikës italiane, ndërsa lëvizja surprizë ka mbërritur nga Berlusconi.
“Kavaljeri” ka hedhur në tavolinë propozimin për Bersanin kryeministër, por me kusht që në krah të tij të qendrojë si zv.kryeministër i besuari i Berlusconit, Angelino Alfano.
“Ne u themi këtyre zotërinjve që ulemi me ta në tavolinë vetëm nëse do të bisedohet për një qeveri mes dy forcave tona politike, ashtu sic kanë shprehur vullnetin e tyre zgjedhësit italianë, për shembull, Alfano zv.kryeministër dhe Bersani kryeministër”, deklaroi Berlusconi në mbledhjen e grupeve parlamentare të PDL-së, të Dhomës dhe Senatit.
Por sa e realizueshme është një ideja e një koalicioni mes dy forcave të mëdha të politikës italiane? Bersani i është shmangur shpesh kësaj teme, ndërsa “lidhja” mes së majtës të udhëhequr nga PD dhe të djathtës të udhëhequr nga PDL është nxitur nga lideri i lëvizjes M5S, Grillo.
Aktualisht Bersani është duke shqyrtuar mundësinë për ndërtimin e një koalicioni “natyral”, por nëse dështojnë këto bisedime, atëherë zgjidhjet mbeten dy: koalicion me PDL ose sërish zgjedhje të përgjithshme.
Për zgjedhje të reja foli Berlusconi ditën e shtunë në një miting të organizuar Romë kundër sistemit që ai e quan “kancerin e demokracisë italiane”.