Silvio Berluskoni nuk e vë në dyshim trajnerin Klarens Sedorf, por thotë se Milani është ndërtuar keq, duke shigjetuar në këtë mënyrë mikun dhe bashkëpunëtorin e tij prej shumë vitesh, Adriano Galiani. Pas humbjes me Parmën janë shtuar së tepërmi zërat për largim të trajnerit holandez në fund të sezonit dhe marrjen e detyrës nga Filipo Inzagi, aktualisht trajner i skuadrës së të rinjve. Por presidenti kuqezi nuk e sheh Sedorfin si përgjegjës për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet ekipi. Holandezi është në këtë detyrë vetëm prej disa muajsh dhe skuadra ka pësuar humbje të rënda edhe më parë, nën drejtimin e Alegrit. Për më tepër, ishte vetë Berluskoni ai që zgjodhi Sedorfin dhe ka besim të plotë tek ai, duke e parë si njeriun ideal për të ringritur Milanin. Ndërkaq, sipas agjencisë së lajmeve ANSA, e cila u referohet bisedave private të presidentit, në shënjestër janë drejtuesit e klubit, fajtorë që nuk kanë qenë të aftë të ndërtojnë një skuadër në lartësinë e investimeve të kryera. Edhe pse është folur shumë për krizë financiare dhe për pamundësi të Milanit për të blerë lojtarë të mëdhenj si dikur, përsëri shpenzimet janë shumë të mëdha. Berluskoni ndihet i bezdisur nga fakti që në Itali vetëm Juventusi shpenzon më tepër për pagat, ndërsa midis kuqezinjve dhe kryesuesve ka shumë skuadra që paguhen më pak. Si për të hedhur kripë mbi plagën e hapur, në Champions League Milani u eliminua nga Atletiko Madrid, skuadër që për rrogat e lojtarëve shpenzon gjysmën e parave të kuqezinjve.
