Rikthimi i Berluskonit në politikën italiane, pas një pauze relativisht të shkurtër, ka sjellë edhe batutat e tij karakteristike. Duke folur rreth taksimit të të pasurve, kavalieri është shprehur se nuk i përket më kësaj kategorie, pas divorcit nga Veronika Lario.
”Taksën 40 miliardë duhet ta paguajnë vetëm të pasurit. Por ata që fitojnë mbi një milion euro janë 2 633 persona. 29 prej tyre fitojnë mbi 10 milionë, madje janë 28 këta të fundit, sepse unë jam varfëruar kohët e fundit”, tha ai.
Ish-kryeministri që kërkon sërish besimin e italianëve bëri më tej një koment ironik në lidhje me divorcin e kripur që i kushtoi sa qimet e kokës në dhjetor.
”Zgjohem në mëngjes dhe nga mesdita pyes veten: A thua t’i ketë shpenzuar ish-gruaja ime 100 mijë eurot që merr në ditë. Nëse jo ka vetëm pasditen në dispozicion për ta bërë”.
Në dhjetor të 2012-s, gjykata vendosi që Silvio Berluskoni t’i paguajë ish-gruas së tij, Veronika Lario, tre milionë euro në muaj, ndryshe 36 milionë në vit. Në këmbim të kësaj shume, ai ka mbajtur pronësinë e vilës në Makerio dhe asetet në kompanitë ku është aksioneri kryesor.
Vendimi i datës 25 dhjetor 2012 i dha fund çështjes që zgjati tre vjet. Ish-kryeministri italian, Silvio Berluskoni, dhe bashkëshortja e tij, Veronika Lario, u ndanë në vitin 2010, pas shpërthimit të skandalit “Rubi”.