Dënohet me 1 vit burg për përgjime të paligjshme me pasojë zbulimin e sekreteve shtetërore Silvio Berluskoni. Është dënuar për të njëjtën çështje me 2 vjet e tre muaj heqje lirie edhe i vëllai, Paolo. Ish-kryeministri i ka cilësuar telashet e tij me ligjin si “persekutim” që zgjat prej 20 vitesh
Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni, u dënua me një vit heqje lirie për çështjen e përgjimeve të paligjshme Fasino-Konsorte të publikuara në gazetën “Il Giornale”. Edhe vëllai i tij, Paolo Berluskoni, u dënua me dy vjet e tre muaj burg për bashkëpunim. Ish-kryeministri u përgjigj në gjyq për akuzat e zbulimit të sekreteve zyrtare, ndërsa i vëllai për pjesëmarrje në akt. Gjykata e Milanos kanë caktuar një dëmshpërblim në ngarkesë të Silvio dhe Paolo Berluskonit prej 80 mijë dollarësh për ish-sekretarin e Pd-së, Piero Fasino. Gjithashtu, atij do t’i derdhen nga llogaria e vëllezërve Berluskoni edhe 10 mijë dollarë për shpenzimet gjyqësore.
Hetimi
Hetimi nisi nga denoncimi i liderit të partisë Idv, Antonio Di Pietro, në tetor të 2009-s. Sipas rindërtimit të ngjarjeve, Roberto Rafaeli, titullari i kompanisë “Research Control System”, e cila kishte vënë në dispozicion aparaturat e përgjimeve mbi Unipoli-in (grupim financiar italian), i tregoi biznesmenit Fabricio Favata përmbajtjen e telefonatës dhe bisedave të tjera të përgjuara. Ky i fundit foli me Paolo Berluskonin me të cilin prej kohësh ishte në marrëdhënie biznesi. Paolo Berluskoni i mori regjistrimit gjatë një takimi në vilën e Arkores dhe më pas ia dërgoi gazetës “Il Giornale”. Bisedat e përgjuara midis Xhovani Konsortes, presidentit të atëhershëm të Unipolit dhe Piero Fasinos, ish-sekretarit tw Pd-së, u publikuan më 31 dhjetor të vitit 2005 dhe më 2 janar të 2006-s.
Reagimet
“Një persekutim i patolerueshëm që zgjat prej 20 vitesh”, kështu e komenton Silvio Berluskoni vendimin e Gjykatës së Milanos. Në një komunikatë për shtyp, Kavalieri shton: “Vetëm një reformim tërësor dhe i vërtetë i drejtësisë mund të bëjë që qytetarëve italianë të mos u ndodhë ajo që më ndodh mua në mënyrë të përsëritur prej njëzet vjetësh”. E gjithë Pdl-ja e kritikon vendimin e gjykatës, duke e cilësuar atw si të pamoralshëm, ndërsa dënimin surreal. Për Alesandra Musolinin, “italianët duhet të pretendojnë që në Itali nuk ekziston më garantimi i së drejtës”. Edhe sekretari kombëtar i së djathtës, Françesko Storaçe, në faqen e tij në “Tuiter” komenton: “Gjithsesi Berluskoni është i vetmi në Itali që është dënuar për publikimin e një telefonate të përgjuar”.
Apeli
Aktualisht Berluskoni po apelon kundër vendimit të dhënë ndaj tij për mashtrime me taksat. Gjithashtu në fund të marsit do të përballet me vendimin për “çështjen Rubi”, aferën seksuale ku ai akuzohet se ka paguar për të kryer marrëdhënie intime me të mitura. Ish-kryeministri do ta apelojë në Gjykatën e Lartë edhe vendim e Gjykatës së Milanos dhe nuk ka ndonjë mundësi reale që ai të shkojë në burg. Por problemi qëndron te fakti se të gjitha këto gjyqe kanë hedhur baltë mbi reputacionin e tij, sidomos kur ka kaluar vetëm një javë nga zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat koalicioni i tij doli më mirë nga ç’pritej. Nuk ka dyshime që Berluskoni ka paguar një çmim të lartë politik për telashet e tij me ligjin, edhe pse ai shprehet se të gjitha akuzat dhe gjyqet janë të orkestruara nga kundërshtarët e tij politikë. Një pjesë e votuesve nuk e mbështesin më për shkak të skandaleve të përsëritura, por gjatë fushatës së fundit zgjedhore ai rikonfirmoi se mbetet një figurë qendrore në jetën politike të vendit.
Përgatiti: Dorina Gjuzi
