Ish-kryeministri i Italisë vijon të jetë në qendër të vëmendjes së mediave. E reja më e fundit nga jeta e politikanit të famshëm është e fejuara e tij e re. “Jam fejuar dhe ndjehem më pak i vetmuar”, iu tha ai gazetarëve.
“Është zyrtare, jam fejuar me Franceska Pascale dhe më në fund ndihem më pak i vetmuar. Ka diferencë të madhe moshe me mua, 49 vjet, sepse ajo është vetëm 28 vjeçe. Është një vajzë shumë e bukur nga jashtë, por edhe më e bukur nga brenda. Ka principe morale, solidariteti, më rri shumë pranë, më do shumë dhe unë e vlerësoj këtë duke ia shpërblyer”, u shpreh Berlusconi për televizionin e tij Canale 5.
Më tej kavalieri italian shpjegoi se, Franceska ka shoqe të mirë vajzën e tij, Marina Berlusconi. Ndërsa duke folur për festat e bujshme, ai theksoi se ato nuk ishin festa të turpshme, siç janë cilësuar në media, por festa elegante.
“Nuk kishte asnjë gjë ilegale në to, madje duhet t’i kërkoj falje atyre personave, që kanë qenë të pranishëm aty dhe iu është bërë emri publik në media. Por, unë kisha nevojë të festoja, isha ndarë nga gruaja, mamaja ime kishte vdekur, kthehesha në shtëpi dhe isha askushi, ndjehesha i trishtuar”, tha pos tjerash Silvio, tashmë 76 apo edhe 77-vjeçar.
/ANSA/